FORCAT SPECIALE VRASIN TRE PENGËMARRËSIT DHE LIROJNE DISA PENGJE.Ka marrë fund pasditen e djeshme terrori dhe ankthi që përfshiu Francën prej tre ditësh. Forcat speciale franceze kanë vrarë dy vëllezërit franko-algjerianë Cherif dhe Said Kouachi, autorët e masakrës në redaksinë e gazetës satirike, “Charlie Hedbo” ku u ekzekutuan 9 gazetarë dhe 3 punonjës policie.

Mijëra policë dhe ushtarë të mbështetur nga helikopterët rrethuan shtypshkronjën në Dammartin- en-Goele, ku fshiheshin dy vëllezërit franko-algjerianë, dhe pasi vranë dy atentatorët, arritën të shpëtonin personin që ata mbanin peng. Në zonë u dëgjuan të shtëna dhe shpërthime të fuqishme, ndërsa mediat flasin për 5 policë të plagosur gjatë shkëmbimit të zjarrit. Rrethimi i vëllezërve Kouachi zgjati orë të tëra, ndërsa në operacion u angazhuan 88 mijë agjentë, 20 mijë prej të cilëve forca speciale. Ndërkohë që zhvillohej operacioni i policisë në Dammartin- en-Goele, ku u vranë dy atentatorët, një tjetër operacion blic u krye në supermarketin ku shtetasi i identifikuar si  Amedy Coulibaly mbante peng disa persona, duke kërkuar që të liroheshin vëllezërit Kouachi. Sipas raportimeve nga vendi i ngjarjes, policia vrau pengmarrësin, ndërsa autoritetet konfirmuan vdekjen e 4 pengjeve. Ndërkohë nuk dihet ende fati i vajzës me emrin, Hayat Boumeddiene, që ka ndihmuar pengmarrësin në supermarketin në Paris. Sipas CNN, vajza ka arritur të arratiset nga marketi. Amedy Coulibaly ishte identifikuar si autori i vrasjes së polices bashkiake një ditë më parë në Paris, ndërsa kërkonte që të liroheshin dy vëllezërit Kouachi, të cilët ishin rrethuar nga policia në një shtypshkronjë në Dammartin-en-Goele.