Shqiptarët vijojnë të gjejnë mënyrë qoftë dhe klandestine, duke vënë dhe veten në rrezik me një qëllim të vetëm, të largohen me çdo kusht drejt vendeve të Bashkimit Europian.

Të fshehur poshtë kamionit, midis gomave, apo në kabinën e shoferit, ose dhe brenda kamionit ata tentojnë të largohen nga porti i Durrësit drejt Italisë duke paguar shoferët e kamionëve nga 1500- 2500 euro.

Policia e Durrësit ka zbuluar sot disa nga këto raste
Dibrani u fsheh poshtë, tjetri izolohet brenda kamionit dhe paguan 2500 euro
Një 22 vjeçar lindur në Dibër u gjet i fshehur poshtë kamionit midis gomave, me qëllim për të kaluar me traget drejt Italisë. Policia e zbuloi gjatë kontrollit në sheshin e eksporteve. I riu i identifikuar me inicialet D.S u procedua për shmangie të verifikimit kufitar me 20 mijë lekë të reja gjobë”

Po kështu rreth orës 17:58, të së dielës, 18 nëntor, gjatë kontrollit të një tjetër kamioni, me drejtues shtetasin Kastriot Gjini, 40 vjeç, banues në Tiranë u gjet brenda i fshehur shtetasi E. N. 23 vjeç, lindur ne Dibër.

Ky shtetas do të kalonte kufirin në mënyrë të paligjshme duke u ndihmuar nga shoferi kamionit. Kamioni ishte i plumbosur dhe shoferi kishte prerë litarin dhe e kishte futur brenda nga mushamaja e trajlerit.

23 vjeçari edhe pse ishte deportuar nga Norvegjia nuk hoqi dorë nga largimi, këtë herë tentativa e dytë ishte Italia.

“Nga kontrolli në sistemin TIMS ky shtetas është kthyer deportiv nga Norvegjia me motivin kapur me qëndrim ilegal në tejkalim të afeteve të qëndrimit dhe punësim ilegal. Dënim me afat 2 vjecar dhënë në Norvegji, dhe për të kaluar në Itali do të paguante 2 500 euro shoferin Kastriot Gjini.” Informon policia e Durrësit.

Drejtuesi i kamionit Kastriot Gjini u arrestua në flagrancë ndërsa shtetasi E.N u ndëshkua me masë administrative gjobë në masën 20 mijë lekë të reja.

Kosovari pagoi 1500 euro
Për një udhëtim më komod, jo si ai poshtë rrotave, duhet të paguash. Një 37 vjeçar nga Kosova i identifikuar me inicialet G.T, 37 vjeç, kishte paguar shoferin e kamionit 1500 euro dhe ky i fundit e kishte fshehur në kabinën e kamionit, tek krevati i shoferit.

Ai u zbulua gjatë kontrollit në vijën e dytë të kamionit, me drejtues shtetasin Erion Rucaj, 39 vjeç, banues në Tiranë.
“37 vjeçari do të kalonte kufirin në menyrë të paligjshme me linjën Durrës Ancona për në Itali, duke paguar shoferin Erion Rucaj me 1 500 euro.” Informon policia e Durrësit.

Drejtuesi i kamionit shtetasi Erion Rucaj u arrestua në flagrancë ndërsa shtetasi G. T. u ndëshkua me masë administrative gjobë në masën 20 mijë lekë të reja.

Edhe dy raste poshte kamionit
Policia e Durresit informon se në sheshin e eksporteve kanë gjetur të fshehur poshtë kamionit dy shtetas shqiptarë, me qëllim për të kaluar në mënyrë të paligjshme kufirin drejt Italisë:

• Z.GJ., 39 vjeç, banues në Lezhë , i dënuar më parë në Belgjikë për trafikim të lëndëve narkotike, si dhe shtetasi E.P., 31 vjeç, banues në Lezhë.

Pas verifikimit të bërë në sistemin TIMS, rezultoi se shtetasi Z.GJ., ishte i deportuar nga shteti Belg në datën 18.07.2018, pasi kishte vuajtur atje dënimin me 7 muaj burg, për veprën penale”Kultivim Canabisi”.

Shtetasi E.P., ishte i deportuar nga shteti Hollandez në datën 07.05.2017, pasi kishte tentuar të kalonte kufirin shtetëror Hollandez në mënyrë të paligjshme për të shkuar në Mbretërine e Bashkuar, duke u fshehur poshtë një kamioni.

Në përfundim të dy shtetasit janë ndëshkuar me masë administrative për shmangie të verifikimit kufitar me 20 mijë lekë të reja gjobë secili.

Edhe adoleshenti kërkon të ikë

Adoleshenti Z.C, 17 vjeç lindur në Shijak është ndaluar teksa po kalonte në mënyrë të paligjshme rrethimin e jashtëm me qëllim për të kaluar në tragetin e linjës Durrës-Ancona. Ky shtetas u procedua me gjobë 20 mijë lekë të reja për shmangie të verifikimit kufitar.

Artikulli paraprakDISFATAT E KOMBËTARES, PANUCCI: JAM PËRGJEGJËS, SHKARKIMIN E KA NË DORË DUKA
Artikulli tjetërTË DËNUARIT NË BURGUN E BURRELIT PARALAJMËROJNË GREVË URIE: S’KEMI KUSHTE