Ditën e sotme në kishën e Bularatit është zhvilluar një meshë për 35-vjeçarin Kostandinos Kacifas, që u vra të dielën e kaluar nga RENEA pas shkëmbimit të zjarrit me policinë, pasi nuk pranoi që të dorëzohej.

E pranishme në meshë ishte edhe Vasilia Kaçifa, e cila kërkoi kthimin e trupit të djalit dhe mbrojtjen e të drejtave të minoritetit. Nëna e 35-vjeçarit është shprehur se djali i saj do të mbetet hero, pasi e donte Vorio Epirin.

Të dalë i pafajshëm fëmija im. Konstandini do të mbetet hero dhe do të bëhem nënë e fortë, do ta bëj zemrën gurë për trimin tim. Na mbroni të drejtat tona. Djali e donte fshatin e tij dhe Vorio Epirin.

Ndërkohë që prifti nga mesha i ka bërë thirrje ambasadores greke në Tiranë që të ndërhyjë te autoritetet për të rikthyer trupin e Kacifas në Gjirokastër për ta varrosur.

Ish-bashkëshortja e viktimës nuk ka pranuar që të dëshmojë pas thirrjes së prokurorisë duke deklaruar se nuk ka asgjë për të thënë. Konstantinos Kacifa u vra 7 ditë më parë nga RENEA, pasi qëlloi me breshëri mbi policinë.

Ai nuk pranoi të dorëzohej dhe RENEA e qëlloi. Kacifa njihej si ekstremist grek dhe ishte pjesë e grupeve nacionaliste-ekstremiste greke.

Pas vrasjes, familja pati pretendime për trupin e të riut, dhe akuzoi RENEA-n se fillimisht e kishte plagosur dhe më pas e kishte vrarë. Por avokati i familjes, i cili e pa trupin u shpreh se i riu nuk ishte vrarë nga afër por nga larg.

Trupi i Kacifa ndodhet në morgun e QSUT-së në Tiranë, pasi u soll për t’iu nënshtruar për herë të dytë autopsisë, pas kontenstimeve të familjes.