Presidenti Ilir Meta mbrëmjen e djeshme ka darkuar me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj në Durrës. Meta dhe Haradinaj kanë diskutuar për marrëdhëniet mes dy vendeve, por pa lënë në plan të dytë atë që ndodhi në Berlin dhe samitin e Tiranës, marrëdhëniet Kosovë-Serbi dhe debatin për kufijtë.

Si kreu i shtetit shqiptar ashtu edhe kreu i ekzekutivit të Kosovës kanë bërë nga një postim në rrjetet sociale të shoqëruar me nga një foto nga takimi, por pa dhënë shumë hollësi mbi detajet e bisedës.

“Kënaqësi e veçantë të ndaja sërish me Kryeministrin, Ramush Haradinaj në Durrës pikëpamje mbi sfida të përbashkëta që forcojnë marrëdhëniet midis dy vendeve dhe perspektivën e përbashkët europiane” shkruan Meta.

Ndërsa Haradinaj thekson se ka pasur ‘Qëndrime unike me Presidentin Ilir Meta për temat me rëndësi për Kosovën e Shqipërinë’. Ilir Meta dhe Ramush Haradinaj janë në krahun e politikanëve që kanë pasur qëndrim të prerë kundër rishikimit të kufirit mes Kosovës dhe Serbisë.