Kryeministri Edi Rama i ka dërguar Presidentit Ilir Meta dekretet për ministrat pas ndryshimeve në qeveri. Komunikimi mes Metës dhe Ramës për dekretet është një praktikë e re e shtuar për të shmangur surprizat e pakëndshme si në rastin e Sandër Lleshajt dy muaj më parë.

Rama depozitoi kërkesat për lirimin e tetë ministrave dhe emërimin e nëntë të rinjve, pasi riktheu në kabinet edhe ministrinë për Marrëdhëniet me Parlamentin.

Pas dërgimit të dekreteve, Presidenca ka 7 ditë afat për t’u shprehur, ndërsa parlamenti 10 ditë për t’i votuar. Votimi i shkarkimeve dhe emërimeve pritet që të bëhet në seancën e parë të sesionit të ri parlamentar në datë 21 janar.

Ndryshimet në qeveri, 7 prej të cilave në nivel ministrash, kryeministri Edi Rama i bëri në mbledhjen e Asamblesë së Partisë Socialiste në datë 28 dhjetor. Praktikisht kreu i qeverisë largoi të gjitha ministrat që kishin 5 vite në detyrë (lexo këtu).

Të vetmit ministra që “shpëtuan” janë Sandër Lleshaj, i emëruar ministër i Brendshëm dy muaj më parë, Pandeli Majko, Olta Xhaçka, Etilda Gjonaj, Blendi Klosi dhe Ogerta Manastirliu. Për dy të fundit, Rama la një afat 6 mujor për të përmbushur detyrat dhe objektivat, pasi në të kundërt, siç paralajmëroi ai, rrezikojnë shkarkimin.

Ministrat që ikin dhe që vijnë;
Zv/ Kryeministër| Ikën Senida Mesi vjen Erjon Braçe
Ministria e Arsimit dhe Sportit| Ikën Lindita Nikolla vjen Besa Shahini
Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme| Ikën Ditmir Bushati vjen Gent Cakaj
Ministria e Financave dhe Ekonomisë| Ikën Arben Ahmetaj vjen Anila Denaj
Ministria e Kulturës| Ikën Mirela Kumbaro vjen Elva Margariti
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë| Ikën Damian Gjiknuri vjen Belinda Balluku
Ministria për Sipërmarrjen| Ikën Sonila Qato vjen Eduard Shalsi
Ministria e Bujqësisë| Ikën Niko Peleshi vjen Bledi Çuçi
Rikthehet ministria për Marrëdhëniet me Parlamentin emërohet Elisa Spiropali

PUBLICITET