Presidenti i Republikës Ilir Meta ka deklaruar se është gati të lërë mandatin e tij si President për zgjidhjen e krizës në vend. Nga Pogradeci ku ka qenë në mbështetje të fushatës kombëtare të dhurimit të gjakut, meta tha se është gati të sakrifikohet si Salvador Aljende për të mos lejuar instalimin e një junte ushtarake.

“Duhet ta theksoj se kriza kushtetuese dhe institucionale nuk është e re dhe arsyet besoj i kam dhënë edhe më parë, përse jemi në një situatë të tillë. Gjithë sistemi gjyqësor është i paralizuar, por janë minuar përpjekjet apo iniciativat e Presidentit, për të parandaluar krijimin e kësaj krize, nga aktorë të caktuar.

Pra, kemi një krizë që në vlerësimin tim është e qëllimshme dhe e cila ka rrezikuar seriozisht rendin kushtetues në republikën e Shqipërisë dhe po kështu jo vetëm të gjitha garancitë demokratike, por edhe të drejtat e qytetarëve dhe të grupeve të caktuara të interesit.

Tani kriza është thelluar e rënduar më tej pas veprimit të paprecedentë të opozitës shqiptare, i cili është një veprim i papranueshëm dhe i dënueshëm nga ana ime që ka thelluar seriozisht krizën e përfaqësimit të Kuvendit të Shqipërisë, institucioni kryesor përfaqësues i Republikës së Shqipërisë.
Në vlerësimin dhe në bindjes time institucionale,

Kuvendi i Shqipërisë ka 82 deputetë të ligjshëm, përfshirë dhe 3 deputetët e opozitës, të cilët nuk pranuan të djegin mandatet sipas vendimit politik të partive përkatëse. Çdo numër tjetër përtej këtij, jo vetëm e thellon krizën po nuk ndihmon as në kapërcimin e kësaj situate, pasi çdo numër tjetër është i

kontestueshëm në të gjitha planet, si në atë kushtetues, ligjor, procedural dhe moral. Dhe absolutisht që në vendin tonë, si një vend tërësisht pro europianë, mund të ftohen edhe 1 mln qytetarë që kanë mbushur moshën për të qenë deputetë dhe që nuk kanë frikë të plotësojnë formularin e

dekriminalizimit për të votuar në parlament ligje në emër të reformave të integrimit europian, por kjo duhet të sigurojë të gjithë që as nuk e fsheh këtë krizë të thellë përfaqësimi dhe as nuk e garanton, përkundrazi e minon çeljen e negociatave mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian”, tha Meta.

Salvador Allende u zgjodh Presidenti i Kilit në vitin 1970, i pari presidenti marksist në një demokraci liberale por u rrëzua nëpërmjet një puçi ushtarak nga njeriu i tij i besuar, gjenerali Augusto Pinochet, i mbështetur nga CIA, i cili mbajti vendin deri në vitin 1990 nën drejtimin e një junte ushtarake. Në një deklaratë Allende ai do shprehej: “Nëse do të më bëjnë shoshë me plumba, vetëm atëherë do të mund të ndalin programin tim politik”.

Artikulli paraprakSHQIPËRI-TURQI,PUBLIKOHEN MASAT. JA SENDET E PALEJUARA NË STADIUM
Artikulli tjetërBB: NGA 68.000 VENDE PUNE TË KRIJUARA NË RAJON,38.700 NË SHQIPËRI