Presidenti i Republikës, Meta i është drejtuar sot përmes një shkrese Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Këshillit të Lartë Gjyqësor, Kuvendit të Shqipërisë dhe Avokatit të Popullit, lidhur me mbi vonesat dhe problematikat në ripërtëritjen dhe bërjen funksionale të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë. Ja se çfarë thuhet në këtë letër:

“Veprimtaria e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi dhe e Këshillit të Lartë Gjyqësor, për fat të keq, nuk po ecën me ritmet e kërkuara duke sjellë të tjera vonesa të pajustifikuara në procesin e ringritjes dhe funksionimit të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë.

Edhe pse ripërtëritja e Gjykatës Kushtetuese është një nga 15 kushtet e Bashkimit Evropian për nisjen e procesit të negociatave të anëtarësimit dhe nevojë jetike për Shqipërinë, sërish duket se kjo nuk është kuptuar drejtë, për sa kohë kjo çështje ngjan se nuk ka marrë vëmendjen e duhur si prej Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, ashtu dhe prej Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Për fat të keq, edhe pse Komisioni i Venecias vërtetoi se Këshilli i Emërimeve në Drejtësi përgjatë vitit 2019 shfaqi problematika të rënda në funksionimin e tij, sërish edhe përgjatë vitit 2020, veprimtaria e tij nuk ka ecur në ritmin e kërkuar. Këshilli i Lartë Gjyqësor edhe pse po mbush dy vite nga konstituimi i tij, deri më tani ka propozuar për emërim në Gjykatën e Lartë vetëm 3 (tre) kandidatë nga radhët e juristëve të spikatur.

Ndërkohë që KLGJ-ja ende nuk ka përfunduar procedurat e verifikimit dhe vlerësimit për plotësimin e 15 anëtarëve të tjerë të kësaj gjykate ku përfshihet dhe pozicioni i katërt në Gjykatën e Lartë, që duhet të plotësohej nga radhët e juristëve të spikatur. Kanë kaluar 4 muaj dhe KLGJ-ja në mënyrë të pashpjegueshme dhe të pamotivuar ligjërisht ende nuk ka mundur të përmbyllë shqyrtimin e vetëm një kandidature të ngelur në garë për këtë vend vakant.

Kjo situatë është e papranueshme për Presidentin e Republikës! Gjithashtu edhe procedurat për emërimin e 14 anëtarëve të tjerë të Gjykatës së Lartë që do të duhet të plotësohen nga radhët e magjistratëve si rezultat i procedurave të ngritjes në detyrë, nuk dihet se kur do të përfundojnë. Plotësimi i të gjitha vendeve vakante në Gjykatën e Lartë, është thelbësore dhe për funksionimin normal të Gjykatës Kushtetuese, pasi në cilësinë e organit të emërtesës Gjykata e Lartë do të duhet të shprehet për emërimin e tre anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Nëse Gjykata e Lartë nuk është funksionale sipas ligjit, rrjedhimisht bllokohet dhe emërimi i tre anëtarëve të tjerë në Gjykatën Kushtetuese, duke sjellë sërish pengesë në funksionimin e plotë të kësaj të fundit. Në këto kushte, ndihem i detyruar t’ju përsëris thirrjen se, në një situatë të tillë Këshilli i Lartë Gjyqësor duhet të vijojë punën në mënyrë të pandërprerë për t’i përmbyllur sa më parë verifikimin dhe vlerësimin e kandidatëve për plotësimin e të gjitha vendeve vakante në Gjykatën e Lartë.

KED-së i kërkohet të vijojë punën me impenjim të plotë, të pandërprerë, me transparencë dhe pa u ndikuar nga aktorë të ndryshëm, me qëllim përfundimin e të gjitha procedurave brenda muajit shtator 2020, për të tre vendet vakante që i përkasin Presidentit dhe Kuvendit, duke shmangur çdo vendimarrje antikushtetuese që do të impononte reagim dhe do të shkaktonte pasoja të pandreqshme ndaj këtij procesi jetik për vendin”, thotë Presidenti Meta.