Presidenti i Republikës Ilir Meta gjatë takimit me ministrin e Jashtëm dhe të Tregtisë së Hungarisë, Péter Szijjártó kishte një mesazh të fortë për ndërkombëtarët.

Pasi ripërsëriti thirrjen për reflektim dhe dialog të palëve, konkretisht kryeministrit dhe kryetarit të PD-së, kreu i shtetit tha se cdo veprim drejt rrugës së paligjshmërisë dhe të konfliktit, e nxjerr Shqipërinë nga perspektiva e saj europiane, ndërsa paralajmëroi ata që sipas tij i kontribuojnë këtij skenari, të jashtëm dhe të brendshëm.

“Palët duhet të reflektojnë sa më parë për dialog dhe zgjidhjen e krizës. Shqipëria të rikthehet në normalitetin e respektimit të shtetit ligjor.

Çdo veprim drejt rrugës së paligjshmërisë dhe të konfliktit, e nxjerr Shqipërinë nga perspektiva e saj europiane. Aktorët e brendshëm ose të jashtëm që i kontribuojnë këtij skenari, do të mbajnë përgjegjësi përpara popullit shqiptar” tha ai.

SHBA dhe Brukseli kanë kërkuar të respektohet dhe mbrohet integriteti i procesit zgjedhor të 30 Qershorit, që Meta e ka anuluar, ndërsa shumica shprehet e vendosur për zhvillimin e tyre.

Edhe dje kreu i shtetit ishte i ashpër me ndërkombëtarët. Referuar marrëdhënieve me Hungarinë, gjatë takimit me ministrin Péter Szijjártó, Presidenti shqiptar tha “Vlerësoj marrëdhëniet tradicionalisht shumë të mira ndërmjet Shqipërisë dhe Hungarisë.

Çmoj mbështetjen e sinqertë të Hungarisë në procesin e integrimit europian. Me rëndësi zbatimi i të gjitha prioriteteve që kushtëzojnë një vendim pozitiv të Këshillit Evropian” deklaroi ai.

Artikulli paraprakPROBLEME ME SHËRBIMIN E URGJENCËS NË KOPLIK
Artikulli tjetërTENTOI TË GËLLTISTE 4 DOZA KOKAINË PËR T’I SHPËTUAR POLICISË, ARRESTOHET I RIU SHQIPTAR