Përplasja mes Presidentit dhe Kryeministrit për çështjen e Ministrit të Jashtëm, ashtu siç e tha dhe vetë Kryeministri do të zgjidhet në Gjykatën Kushtetuese.

Ky institucion aktualisht ka mbetur vetëm me Vitore Tushën, ndërkohë që duhet të përbëhet nga 9 anëtarë.

Për një kohë të gjatë kjo gjykatë nuk ka funksionuar për shkak të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, i cili është organi që përzgjedh kandidatët.

Për të rinisur nga funksionimi, Gjykata Kushtetuese duhet të plotësojë 8 vendet vakante.

Procedura e plotësimit të tyre parashikon se tre anëtarë zgjidhen nga Presidenti, tre nga Kuvendi dhe tre nga Gjykata e Lartë.

Aplikimet që vijnë tek këto institucione i përcillen Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.KED shpërndan formularët e vettingut për kandidatët që kanë 5 ditë kohë ti plotësojnë.

Pas plotësimit, KED ia përcjell ato për verifikim Prokurorisë dhe ILDKPKI-së, të cilët kanë maksimalisht 30 ditë kohë për ti verifikuar.

Më pas, KED verifikon kushtet dhe kriteret sipas ligjit, përpilon listën brenda 45 ditëve dhe ja kthen sërish Presidentit, Kuvendit dhe Gjykatës së Lartë, të cilët duhet të zgjedhin një emër ndër tre të parët të renditur.

Nëse Presidenti dhe Kuvendi nuk e zgjedhin brenda 30 ditësh, emri i renditur i pari emërohet automatikisht, ndërsa në Gjykatën e Lartë emrat e renditur nga KED duhet të votohen me 3/5 e mbledhjes së përgjitshme të gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë.

Në këto mbledhje duhet të marrin pjesë të paktën 3/4 e të gjithë anëtarëve të kësaj gjykate.

E gjithë kjo procedurë mendohet të zgjasë të paktën dy muaj dhe vetëm në muajin prill mund të kemi një Gjykatë Kushtetuese funksionale që të zgjidhë çështjen e konfliktit për Ministrin e Punëve të Jashtme.

Këtij afati i duhet shtuar dhe koha që do ti duhet trupës gjykuese për të dhënë vendimin nga momenti i marrjes në dorëzim të kërkesës së palëve për interpretimin e çështjes.

PUBLICITET