Presidenti Ilir Meta do të mbledh Këshillin e Sigurisë ditën e sotme në orën 12:00 dhe mbledhja do të zhvillohet online.

Mësohet se kreu i shtetit do të jetë në Presidencë, i shoqëruar nga Këshilltarët e tij, e ndërsa anëtarët e kabinetit qeveritar, me në krye kryeministrin Edi Rama dhe përfaqësuesit e tjerë të institucioneve kryesore në vend do të jenë në zyrën e tyre.

E gjitha kjo është bërë për të ruajtur ditancën e sigurisë nga njëri-tjetri, për të parandaluar përhapjen e koronavirusit. Në fokus të kësaj mbledhje do të jetë reagimi i të gjitha institucioneve për marrjen e masave lidhur me koronavirusin, ku titullarët do të raportojnë para kreut të shtetit, njëherazi dhe kreu i Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

I pranishëm do të jetë edhe kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha, në emër të opozitës së Bashkuar. Ai ka konfirmuar ditën e djeshme pjesëmarrjen. Kjo mbledhje ishte planifikuar që dje, dhe vjen një ditë pasi shpalljes që fatkeqësisë natyrore për shkak të koronavirusit, ku deri më tani janë konfirmuar 5 viktima dhe 123 të infektuar.

Më herët, Meta ka thirrur në presidentë për të marrë informacione lidhur me masat në rrugë zyrtare dhe Institucionale, ministren e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliun dhe drejtuesin e planit financiar të qeverisë, Arben Ahmetaj. Hera e fundit, kur u mblodh Këshilli i Sigurisë Kombëtare ishte pas tërmetit të 26 nëntorit.

Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Sigurisë marrin pjesë:
Presidenti
Kryeministri
Kreu i Kuvendit
Kreu i SHISH
Kryeprokurori
Kryetari i komisionit të Sigurisë
Ministri i Brendshëm
Ministri i Drejtësisë
Ministri i Mbrojtjes
Ministri i Ekonomisë dhe Financave
Ministri i Energjetikës
Ministri i Shëndetësisë
Ministri i Arsimit
Drejtori i Policisë së Shtetit
Drejtori i Emergjencave Civile
Kryetari i opozitës