Presidenti i Republikës Ilir Meta ka reaguar për herë të parë për rastin e Xhisiela Malokut pas denoncimit të ish-oficerit Nuhu, që më pas u arratis duke kërkuar azil në Zvicër.

Kreu i shtetit tha gjatë intervistës për Zërin e Amerikës, se Nuhu e kishte vendosur në dijeni përmes një letre, por shtoi se nuk e besonte që do të ndodhnin ato gjëra. Presidenti kërkon që të mos mbrohet askush, por bën edhe një apel për opozitën që të mos teprohet me akuza politike. Gjithashtu ai kërkoi nga prokuroria dhe policia sqarim të paanshëm të odisesë.

Së pari ky është një problem mjaft serioz për shoqërinë tonë dhe kjo është një plagë e thellë dhe e gjerë shoqërore, pavarësisht se sa del në sipërfaqe dhe bëhet pjesë e debatit.

Kështu që duhet të theksoj se unë personalisht, edhe në pozitën e Presidentit jam shprehur qartë në këtë çështje dhe e kam bërë të qartë që përsa kohë do të jem në këtë pozitë, nuk do të favorizoj dhe nuk do të konfirmoj asnjë amnisti apo falje për çdo person që ushtron dhunë në familje.

Besoj se edhe Parlamenti dhe qeveria mbajnë të njëjtin angazhim, që të dekurajojnë cilindo që mendon se mund përfitojë në të ardhmen, pavarësisht nga dhuna e nga krimi që kryen.

Për rastin konkret, është një çështje për të cilën unë kam marrë një letër, që i drejtohej edhe kryeministrit, ministrit të Brendshëm dhe prokurores së Përgjithshme të Përkohshme në mos gabohem, përpara se të nisesha për në Shtetet e Bashkuara, nga oficeri Nuhu.

Nuk kam besuar se mund të ndodhin ato çështje, por me çështjen në fjalë është marrë dhe po e ndjek ekipi im me në krye këshilltarin për Sigurinë Kombëtare, zoti Bahri Shaqiri, kështu që do të më duhet, për të mbajtur një qëndrim më qartë, të kem një informacion edhe më të plotë, edhe më të besueshëm.

Siç e thatë edhe ju, është për fat të keq, që ka një polarizim në këtë çështje ku mendoj se duhet të ketë një bashkim të të gjithëve për të adresuar një fenomen që kërcënon shoqërinë tonë, familjen tonë, pa i dalë askujt në mbrojtje,

aq më tepër kur bëhet fjalë për persona, të cilët kanë lidhje politike, por njëkohësisht pa e tepruar me akuza politike, duke pasur në konsideratë që është një çështje që krijon ndjeshmëri.

Ajo që unë do të nënvizoja, përveç rëndësisë që prokuroria dhe drejtuesit e Policisë së Shtetit duhet të ndërmarrin të gjitha hapat e të sqarojnë të gjitha momentet e kësaj odiseje, sepse mendoj se është një odise e tërë, në mënyrën më të paanshme për të vendosur një besim të publikut te institucionet e zbatimit të ligjit, – mendoj se është shumë e rëndësishme shoqëria civile, pra të gjitha ato organizata dhe institucione,

të cilat janë edhe të specializuara, janë marrë me çështjet e dhunës ndaj grave dhe çështjen e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, – të jenë të bashkuara për ta ndriçuar këtë çështje në interes të së vërtetës dhe të askujt tjetër, sepse përndryshe do të kemi edhe shumë raste të tjera në të ardhmen, të cilat padyshim që do të dëshmonin se jemi një vend, i cili mbetet ende larg funksionimit të ligjit dhe besimit te institucionet.

 

Në 10 ditët e fundit që pas denoncimit të ish-oficerit Nuhu, dosja Rraja ka qenë kryefjalë e debatit dhe akuzave mes shumicës dhe opozitës. Ish-oficeri i Krujës, që kërkoi azil në Zvicër pretendon se në datë 21 korrik është kërcënuar më armë në kokë për të mbyllur dosjen e hapur për akuzën e përdhunimit në ngarkim të djalit të deputetit të Partisë Socialiste, Rahman Rraja.

Ai akuzon se në datë 21 korrik vëllai i deputetit i ka vënë pistoletën në kokë, vetë deputetin Rraja, kryebashkiakun Artur Bushi dhe Taulant Ballën se ishin në mesin e 10 personave që e kërcënuan.

Por Nuhu, kur bëri më 30 korrik kallëzimin në Komisariatin 6 të Tiranës, duke denoncuar se ishte kërcënuar pasi po hetonte çështjen e Xhisielës, nuk i referohet aspak episodit të 21 korrikut. Kufizohet vetëm të thotë se pasditen e 30 korrikut dy kushërinj të Rexhep Rrajës, Redian dhe Ramazan Rraja, e kanë kontaktuar nëpërmjet Ëhat’s up-it, duke kërkuar ta takonin në Tiranë.

Sipas policisë që heton mbi këtë çështje, këto kërcënime me armë në të vërtetë nuk kanë ekzistuar dhe Emiljano Nuhu ka vendosur t’i shpikë ato vetëm para se të arratisej, në mes të gushtit, për ta bërë më të besueshme dhe solide kërkesën për azil politik.