Presidenti Ilir Meta i propozon Kuvendit kandidaturën e Vitore Tushës për pozicionin Kushtetues të Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit.

“Presidenti pas realizimit të një procesi transparent dhe objektiv, ka arritur në konkluzionin se, Doktore e Shkencave Juridike znj.Vitore Tusha plotëson kushtet dhe kriteret ligjore, si dhe është kandidatura më e përshtatshme për tu zgjedhur në këtë pozicion kushtetues,

bazuar në eksperiencën solide dhe kontributin e pandërperë të znj.Tusha, në fushën e jurispudencës, si në sistemin gjyqësor, ashtu dhe referuar angazhimeve të saj akademike si pedagoge në institucionet e arsimit të lartë në fushën e së drejtës, trajnuese dhe pedagoge në Shkollën e Magjistraturës,

apo edhe si eksperte në fushën e së drejtës kushtetuese e më gjerë” thuhet në njoftimin e presidences të pasdites së sotme, 5 nentor.

Zonja Vitore Tusha, vijon të jetë anëtare në detyrë e Gjykatës Kushtetuese, edhe pse i ka mbaruar mandati prej 10 marsit 2017, ndërsa ka kaluar me sukses vetingun.

“Tusha gëzon një integritet të lartë moral dhe profesional, e konfirmuar edhe në rrugë istitucionale, pasi si subjekt i ligjit nr.84/2016, ajo është konfirmuar në detyrë dhe ka kaluar me sukses dhe me vendim të formës së prerë, procesin e rivlerësimit kalimtar (vettingun), për të gjithë komponentët e këtij procesi, duke krijuar bindjen se kandidatura e saj është e denjë për tu zgjedhur si Kryetar i Kontrollit ë Lartë të Shtetit.

Duke zgjedhur një kandidaturë si znj.Tusha larg çdo angazhimi partiak në të kaluarën, Presidenti beson se kontribuon për garantimin e pavarësisë së këtij institucioni shumë të rëndësishëm kushtetues” shkruhet në njoftimin e presidencës.

Kreut aktual të KLSH-së, Bujar Leskaj i mbaron mandati 7 vjeçar në fund të dhjetorit dhe garës së hapur nga presidenca për postin e kryetarit të KLSh-së, iu përgjigjën 34 kandidatë.