Presidenti Ilir Meta ka zhilluar një takim me Kryeministrin e Estonisë, Juri Ratas. Në fokus të takimit, siç zbardh Presidenca, ka qenë forcimi i marrëdhënieve mes dy vendeve dhe integrimi i vendit në Bashkimin Europian.

Meta ka theksuar gjithashtu se ka besim te vendet baltike për mbështetjen për hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE-në në mbledhjen e 18 tetorit të Këshillit Evropian.

“Një takim miqësor, mjaft i frytshëm dhe konstruktiv me Kryeministrin e Estonisë, Juri Ratas. Shqipëria dhe Estonia kanë mundësi të jashtëzakonshme për të forcuar marrëdhëniet e shkëlqyera, veçanërisht bashkëpunimin ekonomiko-tregtar.

Kryeministri Ratas më shprehu mirënjohjen për kontributin e vendit tonë në forcimin e sigurisë në rajonin e Balltikut, në kuadër të NATO-s, në misionin ushtarak në Letoninë fqinje.Shqipëria duhet të përfitojë nga modeli i shkëlqyer i E-Estonia në inovacion, start-up dhe e-services. Një fushë e bashkëpunimit është edhe ajo e sigurisë dhe mbrojtjes kibernetike, ku përvoja e Estonisë do të jetë një mbështetje e shkëlqyer në kuadër të sfidave të përbashkëta që ndajmë si dy vende anëtare të NATO-s.

E falenderova për mbështetjen konstante që Estonia ka dhënë në procesin e integrimit europian të Shqipërisë. Kemi besim tek Vendet Balltike për vendimin e 18 tetorit”, shkruan Meta.