Kreu i shtetit, Ilir Meta kërkoi nga institucionet ligjzbatuese që të zbardhen të gjitha rastet e sulmeve ndaj gazetarëve.

Në fjalën e tij gjatë pritjes me gazetarët dhe atashetë e shtypit të ambasadave të huaja, me rastin e “Ditës Ndërkombëtare për t’i Dhënë Fund Pandëshkueshmërisë së Dhunës ndaj Gazetarëve”, Meta tha se çdo vonesë ndikon negativisht në lirinë e shprehjes.

Meta: Apeli im sot është inkurajim për të gjithë gazetarët të vijojnë misionin e tyre me guxim dhe pa u trembur e pa u shantazhuar nga askush. Dua të përsëris thirrjen time drejtuar të gjitha institucioneve ligjzbatuese, për të vepruar me shpejtësi për hetimin dhe zbardhjen e autorësisë dhe motivet e sulmeve ndaj gazetarëve, fatkeqësisht të shpeshtuara,

pasi çdo vonesë në këtë drejtim do të ndikojë negativisht në klimën e lirsë dhe shprehjes në vendin tonë. Mos ndëshkimi i krimeve kundër gazetarëve duhet të marrë fund njëherë e përgjithmonë.

Asnjë gazetari në Shqipëri nuk duhet ti rrezikohet jeta për të raportuar lajmet. Asnjë gazetari në Shqipëri nuk duhet ti rrezikohet vendi i punës për të raportuar lajmin e vërtetë.

Sulmi me armë ndaj banesës së prindërve të gazetares Klodiana Lala, apo kërcënimi me jetë i gazetarit Julian Shota, apo moszbulimi i autorëve të rrahjes barbare të gazetarit Elvi Fundo, e disa raste të tjera janë ngjarje të rënda që na ftojnë të gjithëve, vecanërisht organeve të shërbimit të ligjit të hetojnë me shpejtësi dhe transparencë në mënyrë të plotë shteruese, për të vënë para ligjit këdo që qëndron pas tyre dhe të parandalohen rastet e ngjashme në të ardhmen.

Dua të inkurajoj promovimin e një mjedisi pune sa më të sigurtë për gazetarët që ju ta kryeni misionin tuaj në mënyrë të pavarur dhe larg çdo ndikimi apo ndërhyrjeje të panevojshme.

Duhet të respektohet rigorozisht integriteti profesional dhe njerëzor i gazetarëve dhe askush të mos intimidojë dhe për asnjë arsye këtë integritet profesional dhe akoma më rëndë, personal!

“Raportimet se në dy vitet e fundit, të paktën 12 gazetarë kanë kërkuar azil në vendet e BE-së dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për shkak të rreziqeve të punës, ndërsa 34 të tjerë kanë kërkuar shtetësi në vende të tjera, janë tronditëse dhe alarmuese.

Gazetarët duhet të refuzojnë çdo përpjekje që synon të shkatërrojë gazetarinë serioze për ta zëvendësuar atë me ‘Fake News’. Humbja e gazetarisë së terrenit është goditje për fjalën e lirë.

Njëkohësisht problemet e gazetarëve janë në të gjithë botën prandaj është edhe kjo Ditë. Me këtë rast dua të dënoj me forcë vrasjen tronditëse të gazetarit Jamal Khashoggi në konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll duke iu bashkuar thirrjes tuaj si përfaqësues të medias, por edhe të gjithë komunitetit ndërkombëtar, edhe unë nënvizoj rëndësinë e bëj thirrje që ky rast të kthehet në një shembull për një hetim gjithëpërfshirës, që do të vërë para përgjegjësisë të gjithë urdhëruesit dhe autorët e tij.

Shpresojmë që vitin tjetër të mos kemi raste të tilla dhe liria e medias e të drejtat e gazetarëve të shënojnë përparim.

Artikulli paraprakAKSIDENT I RËNDË, MOTOÇIKLISTI NË LUFTË ME VDEKJEN
Artikulli tjetërTRE MOTRA PLAGOSIN NJË PERSON