Presidenti i Republikës Ilir Meta ishte këtë të martë në një vizitë zyrtare në Vjenë, ku është pritur në një takim nga presidenti austriak Aleksandër Van der Bellen.

Gjatë mbajtjes së një konference të përbashkët Kreu i Shtetit, vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve ndërsa falenderoi Austrinë për mbështetjen në rrugën europiane të Shqipërisë.

“Shqipëria dhe Austria, janë mike tradicionale e aleate të ngushta”, tha Meta.
Kreu i shtetit Ilir Meta i shprehu mirënjohje Austrisë për gjithçka ka bërë që nga krijimi i shtetit modern shqiptar.

Teksa përgëzoi Presidentin Van der Bellen për kryesimin e suksesshëm austriak të Presidencës së BE-së, Meta tha Shqipëria po punon fort për çeljen e negociatave dhe anëtarësimin në BE.

“Çdo 28 Nëntor kujtojmë me mirënjohje për mbështetjen që na ka dhënë Austria. Mirënjohës për ndihmën bujare dhe aleancën solide të Austrisë. Përgëzoj Presidentin Van der Bellen për kryesimin e suksesshëm austriak të Presidencës së BE. Pritshmëria e Shqipërisë, por edhe e rajonit është shumë e madhe. Po punojmë fort të çelim negociatat e anëtarësimit me BE,” tha Meta.

Teksa është ndalur në çështjen e zhvillimeve të fundit në rajon, Meta e cilësoi një hap të rëndësishëm vendimin e Kuvendit të Maqedonisë, i cili votoi pro ndryshimeve kushtetuese në Parlamentin Maqedonas.

“Votimi në Kuvendin e Maqedonisë nxit besimin për anëtarësimin e saj në NATO e BE. Një rajon më pranë NATO e BE garanton më shumë siguri, paqe dhe stabilitet”, ka thënë presidenti Meta.

Duke folur për çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën, Meta nënvizoi se prej kohësh ajo ka realizuar standardet e kërkuara dhe qytetarët e Kosovës meritojnë të përftojnë lëvizjen pa viza drejt BE-së.