Veriu, verilindja dhe juglindja janë përfshirë prej mbrëmjes së djeshme nga reshjet e borës, ndërsa situata ka shkaktuar probleme në qarkullimin e mjeteve, por nuk raportohet për zona të bllokuara.

Ministria e Mbrojtjes u ka dërguar një letër 12 prefektëve për marrjen e masave parandaluese për situatën e pritshme emergjente që mund të krijohet nga reshjet dhe ngricat.

I është kërkuar të gjithë prefektëve, drejtuesve vendor dhe rajonal për marrjen e masave urgjente për përballimin e çdo situate emergjente. Ministria e Mbrojtjes përmes Drejtorisë së Përgjithshme të Emergjencave Civile

u ka kërkuar prefektëve të komunikojnë me firmat që mirëmbajnë rrugët që këto të venë në dispozicion të gjitha kapacitetet e tyre njerëzore dhe teknike, të grumbullojnë sasi të mjaftueshme kripe, etj,

për të ndërhyrë në pastrimin e rrugëve nga bora, eliminimin e ngricave në rrugë, pastrimin e rrugëve nga inertet dhe gurët që mund të bien.

Është kërkuar gjithashtu bashkëpunim me policinë, ARRSH-në dhe OSHEE-në për të pasur një menaxhim dhe qarkullim normal të automjeteve në akset rrugore,

veçanërisht të atyre që kryejnë transportin e nxënësve dhe mësuesve për në shkolla dhe anasjelltas, si dhe të punohet për eliminimin në kohë të defekteve në furnizimin me energji elektrike.

Nga ana e saj Ministria e Mbrojtjes thekson se Forcat e Armatosura kanë marrë masat dhe janë në gatishmëri për të përballuar situatën e vështirë që pritet të krijohet nga reshjet e borës dhe ngricat.

Në gatishmëri janë edhe pilotët dhe helikopterët në Bazën Ajrore të Farkës. Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Emergjencave Civile në Ministrinë e Mbrojtjes,

është 24 orë në gatishmëri, në ndihmë të përballimit të situatave emergjente bën të ditur në letrën e saj Ministria e Mbrojtjes. Kjo letër është bërë për t’i paraprirë duke marrë parasysh vështirësitë nga vitet e kaluara.

PUBLICITET