Dy vjetori i lumturimit të 38 martirëve të Kishës Katolike është kujtuar mbrëmjen e kaluar me meshën e shenjtë të kremtuar në katedralen “Shën Shtjefni”. Kjo meshë u kremtua nga arqipeshkvi i dioqezës Shkodër-Pult Angelo Massafra.

Gjatë predikimit monsinjor Massafra deklaroi se edhe në Shqipëri ka një paganizëm të ri të padukshëm dhe ata janë idhujt e pushtetit dhe të pasurisë që po zënë vendin e Krishtit tek ndërgjegjet e dobëta.

Duke folur për martirët e Kishës që u lumturuan para dy vitesh, arqipeshkvi Massafra tha se nuk duhet të harrojmë çfarë ka ndodhur dhe kjo jo me idenë për t’u hakmarrë por për të mos harruar persekucionin dhe vrasjet makabre.

38 martirët u lumturuan nga Vatikani dy vite më parë pas një procesi që zgjati për disa vite me radhë duke ardhur deri tek ajo ditë e shënuar për Shkodrën dhe Shqipërinë.

Emrat që u lumturuan janë pjesë e klerit katolik të cilët u persekutuan, provuan torturat çnjerëzore dhe u pushkatuan nga regjimi monist.

Pas kësaj ngjarje me 11 nëntor do të përkujtohet mesha e parë e kremtuar në Shkodër tek varrezat katolike të Rrmajit në vitin 1990 nga dom Simon Jubani.

 

 

Artikulli paraprakSTAR TREND – 06.11.2018
Artikulli tjetërPRONËSIA E TOKËS, PROBLEMI I PAZGJIDHUR I M. MADHE