Kryeministri i Ri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis ka bërë publik emrat e rinj të kabinetit qeveritar.

Vetëm pak orë pasi mori detyrën, ai ka shpallur edhe 17 emrat e ministrave të rinj.

Numrin dy të qeverisë do të jetë Panagiotis Pikrammenos, ish president i Këshillit të Shtetit i cili shkurtimisht shërbeu si kryeministër kujdestar në kulmin e krizës ekonomike të Greqisë në vitin 2012.

Ajo që bie në sy dhe që do të duhet bashkëpunim edhe me Shqipërinë është emërimi i Nikos Dendiasit, në postin e Ministrit të Jashtëm, një prej figurave më të shquara të Demokracisë së Re.

Ai ka drejtuar Ministrinë e Rendit dhe më pas të Mbrojtjes në qeverinë e Andonis Samaras gjatë viteve 2012-2015.

Në krye të Ministrisë së Mbrojtjes së qytetarit, që është bashkuar me Ministrinë e Emigracionit do të jetë Mihalis Chrysohoidis, i cili ka shërbyer në gjithë qeveritë e PASOK-ut pas vitit 2000. Ministër i Mbrojtjes do të jetë Nikos Panagiotopoulos.

Ndërsa Financat iu besuan Christos Staikouras, falë edhe përvojës së tij në të njëjtën ministri në administratat e mëparshme.

Adonis Georgiadis iu besua Ministria e Zhvillimit dhe Investimeve.

Zëdhënësi i ri i qeverisë është Stelios Petsas, ish-drejtor i zyrës politike të Mitsotakis.

Këtë të hënë, pa kaluar 12 orë nga mbyllja e numërimit të votave për zgjedhjet parlamentare të së dielës, Mitsotakis mori mandatin për formimin e qeverisë tek presidenti Prokopis Pavlopulos, ndërsa mori në dorëzim edhe zyrën e kryeministrit nga Aleksis Cipras.

Qeveria e re betohet sot në mesditë dhe mbledhja e parë e kabinetit të ri do të zhvillohet të mërkurën.

Sfidat nisin me koncensionet 99-vjeçare të pronave shtetërore të dhëna nga Cipras, si pjesë të paketave anti-krizë, fondet e cunguara për investime, e deri tek marrëdhëniet me fqinjët, mosmarrëveshjet për zonat ekskluzive ekonomike kryesisht me Turqinë në detin Egje.