Edmond Tërthorja dha dorëheqjen si kryeinspektor i mjedisit në Shkodër pas një kohë të gjatë në krye të këtij institucioni. Tërthorja u emërua si administrator në universitetin bujqësor të Tiranës duke nisur kështu një rrugëtim të ri.

Pas largimit të tij pritej që të vinte një tjetër zëvendësues në inspektoriatin e mjedisit për të nisur punën. Fillimisht u përfolën disa emra për të marrë postin e kryeinspektorit të inspektoriatit të mjedisit në Shkodër.

Bëhej fjalë qoftë për eksponentë të PS që s’kanë lidhje me atë institucion ashtu siç janë përmendur edhe punonjës të inspektoriatit që mund të marrin rolin e drejtuesit.

Pavarësisht kësaj kanë kaluar dy muaj dhe ende nuk është bërë as komandimi apo emërimi i drejtuesit të ri. Kjo sjell probleme në inspektoriatin e mjedisit për shkak se punonjësit kanë dy muaj pa marrë pagat e tyre për shkak se nevojitet firma e kryeinspektorit.

Nga ana tjetër thuajse i gjithë aktiviteti i atij institucioni është bllokuar për shkak se për të dalë në terren apo për të kryer veprime të tjera që kanë lidhje me punën rutinë të përditshme nevojiten autorizimet e drejtuesit dhe urdhërat zyrtar të tij.

Kjo nuk ndodh prej dy muajsh duke sjellë një lloj paralizimi të inspektoriatit të mjedisit. Në fakt kohët e fundit ka edhe një VKM i cili parashikon që inspektoriatet në të gjithë vendin do të kenë një strukturim të ri.

Do të funksionojnë si drejtori rajonale dhe jo më të ndara në 11 qarqe. Kështu thuajse e gjithë zona e veriut do të ketë vetëm një inspektoriat mjedisi dhe jo disa sipas qarqeve siç ka qenë deri tani.

Sa i përket kryeinspektorit të ri sipas burimeve mund të emërohet në shtator ndërsa deri atëherë këto probleme do vijojnë të jenë prezent.

Artikulli paraprakMINATORËT E MIRDITËS PROTESTË PARA BASHKISË
Artikulli tjetërPIKAT E BASTEVE PROBLEM PËR QYTETARËT SHKODRANË