Hysri Peqani, i njohur nga të gjithë si ‘Burdushi’, mjek i famshëm popullor ka tentuar t’i japë fund jetës me çarçaf në qendrën e paraburgimit në Prizren.

Ai tentoi të vetëvritet, por punonjësit kanë reaguar shpejt dhe e kanë parandaluar. Burdushi ka deklaruar se e ka bërë një gjë të tillë në shenjë të pakënaqësisë ndaj vendimit të gjykatës.

Drejtori i Burgjeve të Kosovës, Nehat Thaçi ka deklaruar se “Me datën 25.02.2019, rreth orës 05:00 të mëngjesit, i paraburgosuri H.P. ka tentuar të bëjë vetëvrasje, me ç’rast si mjet ka përdorur çarçafin e shtratit, i cili është në dhomën e tij.

Pasi është dëgjuar një zhurmë në dhomë, zyrtarët korrektues kanë reaguar shpejt dhe kanë parandaluar një tentativë të tillë ende pa filluar (d.m.th. në fazën fillestare)”, ka thënë Thaçi për gazetën “Express”.

Drejtori i burgjeve ka thënë se Burdushit i është dhënë ndihma mjekësore dhe se është konstatuar që nuk ka lëndime.

“Të paraburgosurit në fjalë i është dhënë ndihma mjekësore dhe është bërë kontrolli mjekësor, me ç’rast është konstatuar se nuk ka kurrfarë lëndime, por përveç shqetësimit dhe frustrimit.

Në bazë të deklaratës së dhënë nga i paraburgosuri, këtë veprim e ka bërë në shenjë të pakënaqësisë së vendimit të Gjykatës dhe të padrejtësisë që i është bërë atij”- ka sqaruar Thaçi.