Në mbrëmjen gala të zhvilluar të hënën në Londër, Luka Modric ka mposhtur sërish Cristiano Ronaldon, duke u shpallur futbollisti i vitit edhe nga FIFA, ndërsa pak ditë më parë e mori këtë çmim edhe në Champions League.

Në këtë garë, Modriç kishte konkurrent Salah dhe Ronaldon, por paraqitjet e tij sezonin e kaluar e kanë vlerësuar atë si futbollistin më të mirë të vitit.

Në këtë mbrëmje, nuk doli pa trofe edhe Salah, i cili rrëmbeu çmimin “Puskas” për golin më të bukur të shënuar në ndeshjen Liverpool Everton.

Thibaut Cortouis portieri i Realit të Madridit dhe i Belgjikës u zgjodh portieri më i mirë i vitit duke mposhtur konkurencën e francezit Lloris dhe danezit Schmeichel.

Futbollistja më e mirë femër u shpall braziliania Marta që luan në SHBA me Orlando Pride. Trajneri më i mirë i futbollit të femrave u shpall tekniku i Lyon Reynald Pedros, fitues i Champions League me skuadrën franceze.

Në garë me Pedros ishin edhe dy trajneret femra Asako Takakura dhe Sarina Weigman.

Çmimin e fansave më të mirë e fituan tifozët e Perusë për mbështetjen që i dhanë skuadrës së tyre në Kupën e Botës jo vetëm në stadiumet e Rusisë por edhe në sheshet e qyteteve kryesore të vendit,

me fansat që lanë edhe punën e tyre vetëm e vetëm për të mos humbur ndeshjet e ekipit përfaqësues që rikthehej në një Kupë Bote pas 36 vitesh mungesë.

Çmimin fair-play e fitoi gjermani Lennart Thy që sezonin e kaluar humbi një ndeshje shumë të rëndësishme të Eredivisies mes skuadrës së tij në atë periudhë Venlo dhe PSV Eindhoven pasi bëri gjestin fisnik teksa i dhuroi gjak një pacienti me leuçemi që kishte nevojë urgjente.

Formacioni më i mirë i vitit FIFA FIFPro ishte ky: De Gea, Dani Alaves, Varane, Sergio Ramos, Marcelo, Modric, Kante, Hazard, Messi, Kylian Mbappe, Cristiano Ronaldo.

Artikulli paraprakTURISTËT, 27% MË SHUMË NË GUSHT; INSTAT: RRITJA SI TETËMUJOR ËSHTË 18.8 %
Artikulli tjetërEDI RAMA NIS DITËN ME ‘AIR ALBANIA’, FLUTURIMI QË BËRI BASHKË ANALISTË, REPORTERË E GAZETARË