Luka Modric fitoi Topin e Artë për vitin 2018, duke i dhënë fund hegjemonisë së Cristiano Ronaldos dhe Leo Messit. Futbollisti kroat la pas në votime pikërisht portugezin dhe francezin Antoine Griezmann.

Mesfushori i Realit është futbollisti i parë kroat që fiton Topin e Artë.Ai është mesfushori i parë kroat në histori që arrin të fitojë trofeun e 63-të të “Topit të Artë”, një trofe që jepet nga prestigjiozja franceze “France Football”.

Në ceremoninë e dorëzimit të çmimeve për futbollistët e vitit pati edhe një mesazh nga presidentja kroate, Kolinda Grabar-Kitavoriç, një tjetër protagoniste e Botërorit jashtë fushave.

Kroati i Realit të Madridit fitoi Champions League sezonin e fundit, si dhe bëri një paraqitje fantastike me Kroacinë në Botëror, duke udhëhequr ekipin ballkanas në rrugëtimin deri në finale.

Në vazhdim të klasifikimit, pas Modriçit u radhit Cristiano Ronaldo, e në vendin e tretë kampioni i botës Antoine Griezmann. Ndërkohë, Lionel Messi u klasifikua vetëm në vendin e pestë.

Por, shkëlqimin në rënie të “pleshtit” gjeni të futbollit, duket se e mori ylli francez Kylian Mbappe, i cili u shpall fituesi i parë i kupës së quajtur “Kopa”, një trofe ekuivalent me “Topin e Artë”, por për moshën nën 21 vjeç.

Në këtë mbrëmje u dha po për herë të parë, edhe trofeu i “Topit të Artë” për femra, që e fitoi norvegjezja Ada Hegerberg, futbolliste e Olimpikut të Lionit.