Një ditë pas vendimit të dhënë nga Gjykata e Krimeve të Rënda për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahirin, ka ardhur edhe një reagim nga ana e kryetares së Grupit të Demokratëve në Parlament, Rudina Hajdarin e cila e ka quajtur vendimin si zhgënjyes për të tërë popullin.

Sipas Hajdarit Krimet e Rënda dështuan që të bënin histori me një dënim të papërfillshëm. Ndër të tjera deputetja vijon duke thënë se Drejtësia tregoi se është ende nën presionin e politikës.

“Ndërkohë që gjykata dështoi të bënte histori me një dënim të papërfillshëm, drejtësia tregoi se është ende nën presionin e politikës. Duket si një hap i sforcuar për gjykatën me vendimin “shërbim prove” për një zyrtar të lartë, por që në të vërtetë zhgënjeu një popull të tërë.” ka thënë deputetja e opozitës së re.

Ndërkohë me anë të një reagimi tjetër në rrjetet sociale, Rudina Hajdari ka ‘thumbuar’ Tahirin me një foto të tij që shpërndau ndërsa sipër saj shkruante: Mos u shqetëso Europë, dërgesat do të fillojnë së shpejti.

Kështu Hajdari nënkupton akuzat e hedhura ndaj Tahirit për trafik droge. Por në vendimin e dhënë dje nga Krimet e Rënda për Tahirin, akuzat për trafik droge dhe grup të strukturuar kriminal kanë rënë. Gjykata për Krime të Rënda dënoi ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri vetëm për shpërdorim detyre.

Vendimi është 5 vite burg vetëm për shpërdorim detyre. por me gjykim të shkurtuar arrin në 3.4 vite burgim, por në konvertim sipas Gjykatës kthehet në shërbim prove 3 vite. Sipas vendimit, Tahiri për 3 vite nuk duhet të kryejë funksione publike. Me këtë vendim, ish-ministri i Brendshëm nuk kryen asnjë ditë burg.

Artikulli paraprakMAUNJA BIE NË KANAL, SHPËTON SHOFERI
Artikulli tjetërDEPUTETJA E PS-SË: TAHIRIT I PËRFUNDOI KARRIERA POLITIKE, ME DËNIMIN E KAP DEKRIMINALIZIMI