Një ditë pas mosdekretimit të Sandër Lleshit si ministër i Brendshëm, kryeministri Edi Rama, të dielën, u takua me Presidentin e Republikës, Ilir Meta.

Takimi u zhvillua në Presidencë me kërkesë të vetë kreut të qeverisë. Nuk dihet ende se çfarë është diskutuar konkretisht në këtë takim mes Ramës dhe Metës. Ai zgjati rreth 90 minuta, por palët nuk kanë preferuar të mos japin asnjë informacion për mediat.

Por, takimi dypalësh, vjen pas vendimit të kreut të Shtetit për të mos dekretuar propozimin e Ramës, Sandër Lleshi si zëvendësues i Fatmir Xhafajt.

Edhe sot nuk ka asnjë koment nga mazhoranca pas mosdekretimit të Presidentit Ilir Meta të Sandër Lleshit si ministër i Brendshëm një natë më parë.Po ashtu, nuk ka as nga presidenca shpjegime mbi arsyet që e çuan kreun e shtetit që të merrte këtë vendim.

Postimi i vetëm i Presidentit në faqen e tij në “Facebook” sot ishte një foto e tij ku uron “Një të diel të mbarë në këtë ditë plot diell”.

Ditën e djeshme kryeministri Rama iu është drejtuar me një mesazh edhe deputetëve, të cilëve iu kërkon të mos lëshojnë asnjë koment për vullnetin e treguar nga kreu i shtetit.

Mes tjerash, Rama shkruajti se shumica e ka për detyrë t’i dalë për zot Kushtetutës dhe qytetarëve, ndërsa politikën e cilëson si një lojë shahu, e cila nuk duhet harruar sipas Ramës.

“Lutem asnje lloj komenti askush per vendimin e Presidentit! Ne jemi shumica dhe ne kemi detyren t’i dalim Zot njerezve, vendit, Kushtetutes me maturi dhe vendosmeri. Politika eshte shah, mos e harroni”, thuhej në mesazhin e Kryeministrit drejtuar deputetëve.

Refuzimi i dekretimit
Zyra e shtypit njoftoi dje se presidenti Meta nuk e ka krijuar bindjen për të dekretuar Lleshin si minister të ri.

“Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta nuk ka krijuar bindjen e plotë për t’i dhënë besimin kandidaturës së Z.Sandër Lleshaj si ministër i Brendshëm”, thuhej ne njoftimin e shkurtër të Presidencës.

Një javë më parë, pikërisht të shtunën më 27 tetor, Rama njoftoi se kishte emëruar pas dorëheqjes së Fatmir Xhafaj, gjeneral Sandër Lleshin në postin e ministrit të brendshëm.

Pak orë pas dorëheqjes, Meta dekretoi shkarkimin e Xhafajt, por jo edhe emërimin e Sandër Lleshit.