Policia e Shtetit iu ka drejtuar një apel të gjithë drejtuesve të mjeteve lundruese ditën e sotme. Si pasojë e motit të keq dhe detit me dallgë, Policia e Shtetit apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve lundruese, (peshkarexha, motorë uji, e çdo mjet tjetër lundrues që përdoret me qëllim turizimin) të mos dalin në det deri në qetësimin e situatës.

Ndërkohë një kujdes duhet që të bëjne edhe vetë pushuesit të cilët ndodhen në plazhe duke qenë se deti është me dallgë të mëdha dhe mund të rrezikojë fëmijët apo edhe të tjerë që kanë probleme me notin. Vetëm ditën e djeshme një prej rojeve bregdetare, volejbollisti i Vllaznisë Ardit Taflaj ka shpëtuar katër jetë njerëzish në plazhin e Velipojës të cilët rrezikuan që të mbyteshin si shkak i dallgëve në det.

Në këtë mënyrë ajo që kërkohet është një kujdes maksimal në mënyrë që të mos përballemi me ngjarje të padëshiruara. Reshjet e shiut të natës së kaluar, temperaturat më të ulëta dhe vranësira gjatë ditës së sotme ka bërë që në plazhe të ketë më pak pushues por gjithsesi ka prej atyre që kanë dalë për të shfrytëzuar ditët e pushimit por duke rrezikuar jo pak që të mbyten.

Edhe në plazhin e Velipojës ka një sasi mjetesh ujore të cilat janë në dispozicion të pushuesve të cilat sipas policisë është mirë që të mos përdoren për shkak të rrezikut që kanoset. Moti i përkeqësuar në këto ditë pritet që të ndikojë edhe në një ulje edhe më të madhe të numrit të turistëve që frekuentojnë plazhet shqiptare.

Një numër i ulët ka vijuar edhe në ditët e para të gushtit si shkak i pandemisë së COVID-19 ndërkohë që tashmë shtohen edhe reshjet e shiut apo erërat e forta të këtyre dy tre ditëve.

Ato që dëmtohen më shumë nga kjo situatë janë hoteleritë dhe zonat turistike në plazhe kryesisht dhe pjesa tjetër e bizneseve të cilët kanë pritur që në gusht të kenë më shumë punë pasi në qershor dhe korrik plazhet ishin thuajse të boshatisura duke përjashtuar fundjavat kur kishte pak më shumë pushues.