Dua Lipa, Ermal Meta, Inva Mula, Elhaida Dani, Ramë Lahaj, Kledi Kadiu, Olen Cesare, Eno Peci, Erza Muqolli e Lorik Cana performuan koncertin festiv “Na bashkoi Skëndërbeu”,

i organizuar nga Ambasada e Shqipërisë në Vatikan e nën patronazhin e Këshillit Papnor për Kulturën e nga Presidenti i këtij këshilli Kardinal Gianfranco Ravazzi (Ministër Kulture për Vatikanin).

Përshëndeti këtë koncert Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinal Pietro Parolin, i cili u shpreh se koncerti ka për temë “të bashkuar rreth muzikës në kujtim të Skëndërbeut, e është një temë mjaft e goditur pasi muzika ka qënë gjithmonë mjet bashkimi e integrimi kundër çdo barbarie”.

Pianisti i kompozitori i njohur Genc Tukiqi performoi në piano pjesën koncertale “Fantazi Argjentine” dedikuar Papa Franceskut e ish kapiteni i kombëtares shqiptare Lorik Cana recitoj në italisht vargje të At Gjergj Fishtës.

Ndezi skënën e teatrit Argjentina zëri unik i këngëtares Elhaida Dani me këngën “Adagio”, ndërsa këngëtarja Inva Mula bashkoi në një zë të vetëm të gjithë publikun në sallë, me këngën arbëreshe “Moj e bukura Arbëri.”

Mahnitës në skenë qe fituesi i festivalit të muzikës italiane Sanremo 2018, kantautori Emral Meta si dhe tenori Rame Lahaj me këngën “Rrjedh në këngë e ligjërime”.

Koncerti u mbyll me tingujt e këngës “Luleborë” kënduar bashkarisht nga publiku e artistët.
I pranishëm në sallë ishte delegacioni shqiptar i përbërë nga kryetari i kuvendit Gramoz Ruci, ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, Ministri i Diasporës Pandeli Majko, deputeti demokrat Edi Paloka, përfaqësi të komuniteteve fetare shqiptare arbëreshe, si dhe diplomatë nga vende të ndryshme të akredituar pranë selisë së shenjtë në Vatikan.

LAJMET E FUNDIT NE KOHE REALE