AKTORI KOMIK E SATIRIK  I TEATRIT E FILMIT SHQIPTAR .Është ndarë nga jeta në moshën 63-vjeçare aktori i njohur shqiptar Fadil Kujovska. Mësohet se Kujovska vuante prej 2 vitesh nga një sëmundje e rëndë, ndërsa kishte pak kohë që ishte kthyer nga Italia, ku kishte shkuar për trajtimin e sëmundjes.

Fadil Kujovska lindi në Tiranë, kreu studimet e larta për aktrim në Institutin e Lartë të Arteve në 1974 dhe filloi punë në Televizionin Publik Shqiptar, më pas më 1975 interpretoi në Teatrin e Gjirokastrës, ndërsa nga viti 1978 ishte aktor në Teatrin Kombëtar. Spikati si aktor i planit komik e satirik. Kujovska u dallua veçanërisht për karakterizimin e figurave që vinin nga shtresat e ulëta shoqërore apo rangjet administrative. Plastika, gjestet dhe mimika, të përpunuara me shije, krijuan gjasa që ky rol të vetëshprehej si duhej në epërsitë e mundshme të të dhënave natyrore të aktorit. Me interpretimin e doktor Adhamudhit në komedinë ‘Pas Vdekjes’ të A. Z. Çajupit,  ai arriti të krijojë plot bukuri skenike, tipin e pseudointelektualit dhe pseudopatriotit shqiptar, duke shfrytëzuar me zgjuarsi elementët tjetërsuese dhe kundërshtitë komike, plastikën shprehëse, një të folur prej megalomanie që e diskreditonte paq krenarinë e tij “pseudo”-je. Fadil Kujovska luajti role me trill e fantazi; ishte intuitiv, spontan dhe kishte nur komik. Ka interpretuar edhe në filma artistik si dhe në disa filma televiziv, ku veçohet roli i Cukut tek ‘Dy Herë Mat’, i fotograf  Veliut te ‘Historiani’ dhe ‘Kameleoni’ .

 

[iframe width=”300″ height=”510″ src=”//www.youtube.com/embed/NiL9ujpthk8?list=UU0aBDfsVqdL53NOE5eMXAUw” frameborder=”0″ allowfullscreen ]