Ish-futbollisti i Kombëtares Shqiptare, Skënder Hyka ka ndërruar jetë mëngjesin e sotëm.

Hyka u lind në qytetin e Tiranës më 1944-n dhe e kaloi të gjithë karrierën e tij në klubin e vendlindjes, “17 Nëntori”, sot ekipi i Tiranës.

Sulmuesi ka luajtur edhe për ekipin kombëtar të Shqipërisë, duke e nisur karrierën nga ekipi i Shpresave.

Prej vitit 2009 ka qenë kreu i Komisionit të Konkurrencës, ndërsa bënte pjesë edhe në Komitetin Ekzekutiv të Federatës Shqiptare të Futbollit.

Lajmi i vdekjes së futbollistit u konfirmua edhe nga FSHF-ja, ku presidenti Armand Duka, ka reaguar me anë të një letre, në të cilën shkruan se ky është një çast i dhimbshëm për familjen dhe dashamirësit e shumtë të futbollit.

Skënder Hyka, ishte një prej futbollistëve më të shquar të viteve 60-70, i cili ka spikatur me talentin dhe aftësinë e tij, duke u bërë i dashur për tifozët anë e mbanë Shqipërisë. Ai spikati edhe si drejtues i FSHF në rolin e Sekretarit të Përgjithshëm.

Në çdo cast ai ka ndihmuar me përkushtimin dhe mendimet e tij, që futbolli të ecë përpara. Parajsa, qoftë vendi ku do të prehet. Kujtimet që na ka lënë, do të jenë të paharruara.