Është ndarë nga jeta në moshën 79-vjeçare nga një sëmundje e rëndë, Artisti i Popullit, Albert Vërria, aktor i madh i dhjetëra roleve në kinematografinë dhe dramës shqiptare dhe të huaj, që la pas 110 role, shumica e të cilave falë interpretimit të tij, janë sot pjesë e kujtesës kombëtare. Për shumë njerëz, Albert Vërria njihet si aktori vlonjat. Por pak e dine se Vlora nuk është qyteti i lindjes, por qyteti ku nisi rrugën si aktor.

Ai lindi në Fier më 3 shtator 1936, në familjen e madhe tregtare Vërria, një ndër 5 të parat që zbritën në Fier nga Voskopoja në vitin 1796 me djegien e parë të qytetit mesjetar me emër për kulturën shqiptare, të cilat shënuan nisjen e fizionomisë te qytetit Fierit, asokohe fshat. Asnjëherë nuk e ndau dashurinë mes kinemasë dhe teatrit: “Teatri të jep kënaqësi se je në kontakt me spektatorin. Ndien buzëqeshjen e tyre, frymëmarrjen, emocioni është i drejtpërdrejtë. Ndërsa kinematografia të jep popullaritet. Filmi transmetohet dhe ritransmetohet disa here”, kujtonte Albert Vërria.Numërohen mbi 20 filma ku ai luajti role, që sot mbahen mënd, qoftë dhe për një batutë të vetme, sepse Albert Vërria dinte t’i futej në lëkurë çdo roli për ta bërë madhështor dhe të paharrueshëm nga shikuesit. Për artistin e madh, Albert Verria pensioni nuk ishte asgjë, sepse moshën e kishte sfiduar me gjallërinë dhe pasionet, aq të shumta dhe jo vetëm për artin skenik. Para pak vitesh, hapi ekspozitën me 62 fotografi të roleve, personazhet e interpretuar prej këtij mjeshtri të madh të aktrimit. Të gjitha personazhet i mblodhi në një biografi artistike, fiksuar në celuloid si një rrugëtim fotofilm me rolet. Në 62 fotografi me përmasa të mëdha kalojnë rolet e paharruar të “Xha Sulos” te filmi “Kapedani”, Soll Lili tek “Agimet e stinës së madhe”, Hiluku” tek “Operacioni zjarri”, etj, etj. Para pak muajsh Albert Verrisë i erdhi propozimi i fundit për të luajtur në një film ndërkombëtar me një rol në filmin “Contromano”. “Të largohesh nga kjo botë është njerëzore, të largohesh me dinjitet është hyjnore”, shkruan në një nga librat e tij ikona e kinematografisë dhe teatrit shqiptar, Artisti i Popullit Albert Verria. Kështu jetoi, kështu ikën nga kjo botë

Artikulli paraprakKALAMISHI: VOLUMI E KA PATUR GATI EKIPIN U-17
Artikulli tjetërSUPERKUPA E SPANJËS, BARCELONA NUK PËRMBYS DOT