GJYKATA JEP MASËN “ARREST ME BURG” MES TYRE EDHE LIRIM NEHANI “Ndarja e tokave” çon në pranga 4 zyrtarë vendorë në Shkoder, mes tyre dhe kryetarin e komunës Gruemirë Lirim Nehanaj. Vendimi është dhënë nga gjykata e shkallës së parë në Shkoder pasdreken e së mërkurës, ku 4 shtetasit në fjalë akuzohen për shpërdorim detyre.

Kështu masa arrest me burg është vendosur për kryetarin e Komunës Gruemirë, në Shkodër, Lirim Nehanaj, ish-kryeregjistruesi i ZVRPP Shkodër Asim Burgaj, përgjegjësi në Drejtorinë e Administrimit të Tokave, Qarku Shkodër, Fatmir Tepelia dhe Rruzhdi Handraj, inspektor në Drejtorinë e Administrimit të Tokave, Qarku Shkodër. Ka qenë Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Shkodër, e cila ka kërkuar arrestimin e 4 personave të mësipërm dhe vendosjen e masës së arrestit me burg për ta në Gjykatën e Shkodrës. Nga hetimi i Prokurorisë së Shkodrës nisur në fund të vitit 2013, rezulton se këta shtetas, në kundërshtim me detyrat e tyre funksionale, kanë hartuar, miratuar dhe regjistruar prona të ndryshme në komunën Gruemirë në emër të personave që nuk u takonte tokë në bazë të ligjit 7501, duke krijuar mundësi reale për mbivendosje pronash, të cilat më pas sjellin konflikte ndërmjet banorëve. Më konkretisht, shtetasi Lirim Nehanaj, në cilësinë e Kryetarit të Komunës Gruemirë, ka shpërndarë vërtetime për përfitim të tokës në bazë të ligjit 7501 në disa fshatra të komunës në favor të disa shtetasve.Nga verifikimet e deritanishme të Prokurorisë Shkodër rezulton se në këto fshatra nuk është ndarë asnjëherë tokë në bazë të ligjit nr.7501, pasi nuk kanë funksionuar asnjëherë komisionet përkatëse. Pavarësisht këtij fakti, nga ana e kryetarit të Komunës janë dërguar pranë Drejtorisë së Administrimit të Tokave në Qarkun Shkodër vërtetime për disa persona. Nga verifikimet ka rezultuar se janë të paktën 10 praktika deri më tani me këtë shënim nga ana e kryetarit të komunës Gruemirë, për toka me sipërfaqe disa dhjetëra mijëra metra katrorë. Nisur nga fakti se në fshatrat e komunës Gruemirë nuk kanë funksionuar asnjëherë komisionet e ndarjes së tokave, krahas veprës penale të “shpërdorimit të detyrës”, po kryhen verifikimet edhe për veprën penale të “fallsifikimit të dokumentave” nga ana e shtetasit Lirim Nehanaj. Për shtetasit Fatmir Tepelia dhe Ruzhdi Handraj, përkatësisht përgjegjës sektori dhe inspektor në Drejtorinë e Administrimit të Tokave në Qarkun Shkodër, Prokuroria e Shkodrës ka krijuar dyshime të arsyeshme për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim detyre”, për shkak se: Në bazë të detyrave të tyre funksionale, këta shtetas duhet të kryejnë verifikimet për çdo rast vërtetim për regjistrim të tokave nga ana e drejtuesve të komunave. Në rastin e vërtetimeve të përcjella nga ana e kryetarit të komunës Gruemirë, këta shtetas nuk kanë kryer asnjë verifikim. Gjithashtu, në vijim të hetimeve për këto raste, Prokuroria Shkodër ka krijuar dyshime të arsyeshme për kryerjen e veprës penale të “shpërdorimit të detyrës” edhe për shtetasin Asim Burgaj, i cili në kohën e regjistrimit të këtyre pronave ka qenë në detyrën e kryeregjistruesit të Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Shkodër.

 

 

 

[iframe width=”300″ height=”360″ src=”//www.youtube.com/embed/wR39BOLgmoU?feature=player_detailpage” frameborder=”0″ allowfullscreen ]