Presidenti Ilir Meta, kryeministri Edi Rama, por edhe politikanë të tjerë dhe figura të artit kanë reaguar për ndarjen e papritur nga jeta të aktorit të mirënjohur Xhevdet Ferri.

Për presidentin Ilir Meta, aktori i njohur Xhevdet Ferri do të mbetet i paharruar. Kreu i shtetit shkruan se mësoi me hidhërim lajmin e ndarjes nga jeta të një prej personaliteteve më të shquar të kinematografisë dhe filmave shqiptarë. Ai vijon më tej duke theksuar se kjo humbje e parakohshme dhe e pazëvendësueshme më ka prekur thellë.

“Me hidhërim të thellë mësova lajmin e trishtë të ndarjes nga jeta të aktorit të mirënjohur dhe një prej personaliteteve më të shquar të kinematografisë dhe filmave shqiptarë më të dashur për ne, Xhevdet Ferri. Si për të gjithë artdashësit dhe simpatizantët e Tij të shumtë, kjo humbje e parakohshme dhe e pazëvendësueshme më ka prekur thellë.

Mjeshtri i Madh i filmit, por edhe i teatrit, Xhevdet Ferri do të mbahet mend përherë për rolet dhe personazhet karakteristike, të luajtura me aq talent dhe mjeshtëri të rrallë, për të cilat meritoi të gjithë respektin, vlerësimet dhe simpatinë, nga shumë breza, duke na lënë pas një trashëgimi të vyer në kinematografi.

Duke ndarë dhimbjen e thellë për humbjen e këtij artisti të madh, i përcjell ngushëllimet më të sinqerta familjes, të afërmve dhe gjithë bashkëpunëtorëve. Kujtimi i Tij do të mbetet i paharruar!” shkruan Meta. Aktori i njohur i shumë roleve Xhevdet Ferri u nda nga jeta pasditen e sotme në moshën 59-vjeçare pas një beteje me një sëmundje të pashërueshme.

Kryeministri Rama shkruan se nuk ka fjalë për të përshkruar lajmin e hidhur të ndarjes nga jeta të aktorit të mirënjohur Xhevdet Ferri. “Lamtumirë Xhodë! S’kam fjalë” shkruan kreu i qeverisë në postimin që e shoqëron me një foto të Ferrit në një nga filmat e njohur ku ka luajtur, “Përrallë nga e kaluara”.

Zv. kryeministri Erion Braçe ka reaguar pas ndarjes nga jeta të artistit të njohur Xhevdet Ferri. Teksa ka publikuar foto nga rolet e tij, Braçe shkruan se ai është shuar por nuk ka ikur.
“Xhevdet Ferri shuhet, por nuk ikën. Ja këtu do jetë këtej e tutje.
Mos qani për të! Duartrokiteni fort për veprat e tij!”, shkruan Braçe.

Artikulli paraprakZJARR NË FABRIKËN E BABAIT TË KRYETARIT TË BASHKISË
Artikulli tjetërNDARJA NGA JETA E AKTORIT XHEVDET FERRI, RUÇI: U LARGUA ASI I KINEMATOGRAFISË SHQIPTARE