Profesor Luan Hajdaraga u nda dje nga jeta në moshën 69-vjeçare, pas një goditjeje ishemie katër muaj më parë.

Luan Hajdaraga e mbylli aktivitetin e tij intelektual si dekan i Fakultetit të Shkencave Politike në Universitetin Ndërkombëtar të Strugës, ndërsa që nga viti 1990 ishte ndër të parët profesorë që iu bashkua Partisë Socialiste.

Madje, ai mbajti për disa vite dhe postin e nënkryetarit të PS-së gjatë kohës që kryetari i saj, Fatos Nano, ishte në burg dhe disa mandate si anëtar i kryesisë së Partisë Socialiste.

Hajdaraga, para vitit 1990 ka mbajtur postin e drejtorit të Institutit të Pedagogjisë dhe në ekran u njoh në një emision të viteve ‘80 të titulluar “Mësues, Prindër, Nxënës”.

Pjesëtar i plejadës së mjeshtrave të pedagogjisë, Hajdaraga iu fut politikës menjëherë në vitin 1990, së bashku me disa profesorë të tjerë në grupin që mori në drejtim Partinë Socialiste.

Ai u zgjodh deputet në vitin 1992 nga lista proporcionale dhe ka qenë një nga 4 regjentët e drejtimit të PS-së kur Fatos Nano ishte në burg.

Ajo që e ka dalluar profesor Hajdaragën në politikën shqiptare ishte qetësia në artikulim, pa i munguar argumenti dhe vetëpërmbajtja politike gjatë një periudhe që lufta politike ishte shumë e ashpër.

Madje, në kohën kur Nano ishte në burg, mjaft socialistë e akuzonin si të “butë me Berishën”, madje edhe të lidhur me të vetëm se nuk shante kundërshtarët.

Kur socialistët erdhën në pushtet pas ngjarjeve tragjike të vitit 1997, Luan Hajdaraga u zgjodh deputet, por nuk mori pjesë në qeverinë e parë të Fatos Nanos.

Ai drejtoi Komisionin e Sigurisë Kombëtare, në kulmin e konfliktit PS-PD, por në auditorin e ri nuk pati asnjëherë të tillë. Hajdaraga, ndryshe nga deputetët e tjerë socialistë, është fiksuar në sallën e Parlamentit shumë aktiv në dy momente kritike.

Kur u plagos Azem Hajdari nga Gafurr Mazreku, Luan Hajdaraga ishte ndër të parët që e mori trupin e deputetit të PD-së për ta dërguar në spital.

Po ashtu, kur Pjetër Arbnori pëson një goditje gjatë grevës së urisë në Kuvend, Hajdaraga nuk priti asnjë sekondë dhe e dërgoi ish-kreun e Kuvendit me urgjencë në spital.

Në vitin 1999 emërohet ministër i Mbrojtjes nga Pandeli Majko dhe më pas qëndron në këtë detyrë edhe me Ilir Metën-Kryeministër.

Gjatë luftës së Kosovës, Hajdaraga ishte ministri që menaxhoi situatën në kufi me Serbinë, por nuk u bë asnjëherë protagonist.

Në qeverinë e Fatos Nanos, pas vitit 2002 emërohet zv.ministër i Jashtëm dhe për një periudhë të shkurtër drejtoi diplomacinë shqiptare në mungesë të ministrit.

Edhe pse Ilir Metën e kishte mik të afërt, madje e mbrojti fort në KPD-në e famshme të vitit 2003, Luan Hajdaraga nuk iu bashkua LSI-së kur ndodhi shizma e madhe e së majtës.

Pas ardhjes së Edi Ramës në krye të Partisë Socialiste, Luan Hajdaraga ka qenë vazhdimisht anëtar i Asamblesë Kombëtare Socialiste gjatë viteve të opozitës.

Një grup ish-drejtuesish të lartë të PS-së, kreu socialist i përfshiu në Grupin e të Urtëve, i cili do të ishte një këshill konsultativ i kryetarit.

Përveç Luan Hajdaragës, në këtë grup bënin pjesë dhe Servet Pëllumbi, Rexhep Meidani, Arta Dade, Namik Dokle, Bashkim Zeneli, Pandeli Majko etj..

Në kongresin e PS-së të vitit 2016, Luan Hajdaraga nuk u propozua kandidat për në Asamblenë Kombëtare, bashkë me disa emra me historike në këtë parti.

BIOGRAFIA E JETËS SË HAJDARAGËS

Luan Hajdaraga lindi më 2 gusht 1948 në Tiranë

Më 1966-1970 ndoqi Fakultetin e Psikologjisë në Universitetin e Bukureshtit në Rumani.

Më 1973-1985 ishte punonjës shkencor dhe më pas drejtor i Institutit të Studimeve Pedagogjike deri më 1992.

Më 1990 bashkë me një grup profesorësh iu bashkua Partisë Socialiste.

Më 1992 u zgjodh deputet i Partisë Socialiste, më pas kandidoi po ashtu për kryetar bashkie në Tiranë.

Më 1992-1996 ishte anëtar i Kryesisë së PS-së, ndërsa në vitet 1993-1996 nënkryetar i partisë.

Në vitet 1998-2000 u emërua ministër i Mbrojtjes, ndërsa në vitet 2001-2005 qe zëvendësministër i Punëve të Jashtme.

Marsin e 2018-s pësoi një hemorragji cerebrale të rëndë, më pas u dërgua për kurim në Turqi, por më 30 korrik 2018 ndërroi jetë në QSUT, Tiranë.