15 mijë lekë/ora për ndërhyrjen e zjarrfikëses në objektet e siguruara

 

TIRANE – Ndërhyrja e zjarrfikëses për shuarjen e zjarreve në objektet e siguruara do të kushtojë 15 000 (pesëmbëdhjetë mijë) lekë për orë. Sipas vendimit të qeverisë, koha e ndërhyrjes llogaritet nga momenti i daljes së personelit të shërbimit të MZSH-së nga stacioni zjarrfikës dhe përfundon me largimin e tij nga vendi i ngjarjes. Shumat e arkëtuara nga shoqëritë e sigurimit, që kërkojnë ndërhyrje për shuarjen e zjarreve në objektet e siguruara, derdhen në llogaritë e Bashkisë përkatëse që ka ofruar shërbimin. VENDIMI I QEVERISE “Qeveria vendosi sot mënyrën dhe kriteret e llogaritjes së shpenzimeve të ndërhyrjes për shuarjen e zjarreve në objektet e siguruara nga zjarri dhe administrimin e përdorimin e të ardhurave, për llogari të shërbimit vendor të MZSH-së. Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 35, të ligjit nr.152/2015, “Për shërbimin e mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave VENDOSI: 1. Tarifa e ndërhyrjes për shuarjen e zjarreve nga shërbimi i MZSH-së në objektet e siguruara nga zjarri nga shoqëritë e sigurimit është në vlerën 15 000 (pesëmbëdhjetë mijë) lekë për orë ndërhyrjeje. 2. Për efekt të përllogaritjes së kostove të shërbimit, të ofruar nga shërbimi i MZSH-së në nivel vendor, koha e ndërhyrjes llogaritet nga momenti i daljes së personelit të shërbimit të MZSH-së nga stacioni zjarrfikës dhe përfundon me largimin e tij nga vendi i ngjarjes. 3. Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit informon zyrtarisht kryetarët e bashkive për listën e objekteve të siguruara në territorin nën juridiksionin e tyre. 4. Shumat e arkëtuara nga shoqëritë e sigurimit, që kërkojnë ndërhyrje për shuarjen e zjarreve në objektet e siguruara, derdhen në llogaritë e bashkisë përkatëse që ka ofruar shërbimin. 5. Të ardhurat, që krijohen sipas pikës 4, të këtij vendimi, administrohen nga bashkia përkatëse që ka ofruar shërbimin e MZSH-së dhe përdoren për mbulimin e shpenzimeve të kryera, financimin e veprimtarive kryesore, shpenzime operative, rinovim të automjeteve e të pajisjeve zjarrfikëse, për investime dhe shpërblimin e punonjësve të shërbimit vendor të MZSH-së. 6. Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme dhe bashkitë përkatëse për zbatimin e këtij vendimi.

Artikulli paraprakSHQIPTARJA SUZANA SHKRELI HUMB ZGJEDHJET NE SHBA
Artikulli tjetërMBLEDHJA E SOTME E QEVERISE,VENDIMET