Ndërkombëtarët këmbëngulin se vendi i opozitës është në Kuvend. Vendimi për djegien e mandateve është drastik, dhe pengon çeljen e negociatave, mbi të gjitha kur i bashkohen edhe protestat e dhunshme që opozita ka mbajtur kundër qeverisë.

Gjatë takimit me kryeparlamentarin Gramoz Ruçi, sipas një njoftimi nga Kuvendi, që zbardhi diskutimet pa praninë e mediave, delegacioni i Parlamentit Evropian, thotë se opozita duhet ta shfrytëzojë mundësinë për tu rikthyer në parlament, madje sipas tyre duhet të ndodhë sa më shpejt.

“Pas 10 ditësh do të jetë vonë”, është shprehur sot në takimin me kryeparlamentarin Gramoz Ruçi, përfaqësuesi i PE-së, Cristian Preda. Ndërkombëtarët thonë se kauza e opozitës për zgjedhje të vjedhura nuk qëndron, pasi siç ata shprehen,

“i kanë monitoruar vetë zgjedhjet, dhe ishin korrekte”. raportuesi për Shqipërinë në PE, Kut Fleckenstein ndalen edhe në emra konkretë, kur thotë se Monika Kryemadhi, kryetarja e LSI-së, nuk duhet të pengojë negociatat.

“Zonja e Parë”, – shprehet ai, duke ju referuar faktit që Kryemadhi është bashkëshorte e presidentit Ilir Meta, emërtim që ajo gjithmonë ka refuzuar ta pranojë.

“Po humbas durimin nga qëndrimi i deputetëve të opozitës. Protestat të ruajnë qetësinë. Pamjet e protestave vonojnë integrimin”, u shpreh ai.

Edhe kryesuesi i delegacionit të PE-së, pret sinjale pozitive, që palët të jenë ulur në bisedime për të zgjidhur krizën. “Arrini konsensus dhe na dërgoni një sinjal pozitiv për negociatat”, theksoi Tunne Kelam.

Shefi i delegacionit të Parlamentit Evropian në Tiranë, Tunne Kelam thotë se është i interesuar që Shqipëria të hapë zyrtarisht negociatat, dhe shpreson në këtë. Por ai bën një apel për bashkëpunim të brendshëm mes palëve politike, duke e konsideruar jetike.

“Zgjedhjet janë të njohura, janë pranuar, dhe duhet aderuar në institucione. Bojkotimi i Kuvendit, në vetvete përbën një sinjal shumë të keqe, cënon besueshmërinë e kombit dhe të shtetit. Ne nuk jemi dakord që bojkotimi i Kuvendit do të ishte gjëja e duhur për tu bërë. Nuk mund të gjesh dot një arsye, një pretendim për të penguar anëtarësimin, nga interesa partiake”.

Për protestat Kelam tha se është absolutisht kundër dhunës, si një mënyrë jo demokratike për zgjidhjen e problemeve, e po ashtu kundër nxitësve politikë të dhunës.

“Shoqëria duhet të ushtrojë presion në mënyrë që ata të bashkohen me njëri-tjetrin”, theksoi ai.