Kalimi i përgjegjësive nga Shërbimi Social tek Bashkia Shkodër për problemet e ndihmës ekonomike kanë detyruar këtë të fundit të dalë me një deklaratë për mediat.

Sipas Bashkisë Shkodër, vendimi për përfituesit e ndihmës ekonomike duhej të ishte shpallur nga Shërbimi Social në datën 30 qershor, ndërsa është data tre korrik dhe nuk është shpallur.

“Ashtu siç ka ndodhur edhe dy muajt e tjerë, edhe për muajin qershor akoma nuk është shpallur online vendimi për përfituesit e ndihmës ekonomike, sipas ligjit të ri.

Vendimi duhej të ishte shpallur me datë 30 qershor 2018 nga Shërbimi Social Shtetëror, ndërsa sot data është 3 korrik. Deri në momentin që po flasim, vendimi vijon te jetë i pashpallur dhe mund të verifikohet online.”

Në deklaratën e Bashkisë Shkodër thuhet se vonesa krijon probleme thelbësore për të gjithë aplikuesit për ndihmën ekonomike.

1. Sjell reduktimin e ditëve në dispozicion për familjet që duhet të aplikojnë, afat i cili është vetëm 10 ditë. Pra, deri sot, janë reduktuar 3 ditë nga ky afat.

2. Sjell reagim të ashpër të qytetarëve ndaj administratorëve shoqërore, pasi pa shpalljen e vendimit, sistemi i aplikimit nuk hapet. Janë këta administratorë, të cilët përballen me qytetarët dhe pa patur asnjë përgjegjësi.

3. Shkurtimi i afatit të aplikimit, sjell rradhë e kaos, deri në incidente në mes qytetarëve dhe administratorëve shoqërore.

Sipas bashkisë Shkodër, ky është një detyrim moral dhe ligjor për informimin e qytetarëve për evidentimin e përgjegjësive për Shërbimin Social. Ndërsa i bën thirrje të zbatojë ligjin.

Për arsyet më sipër, e ndjejmë detyrim ligjor dhe moral të informojmë qytetarët dhe të evidentojmë përgjegjësitë e Shërbimit Social Kombëtar në këtë rast.

Me këtë rast, i bëjmë edhe njëherë thirrje këtij institucioni, në nivel kombëtar por edhe lokal, të zbatojnë ligjin dhe aktet nënligjore rregullatore, për të mos vështirësuar më tej mbijetesën e familjeve që duhet të marrin ndihmë ekonomike nga shteti.

Ndihma ekonomike është problemi i gjashtë muajve me radhë, ndërsa akoma nuk është arritur të zgjidhet. Përgjegjësia vijon të kaloj nga njëra anë në tjetrën.

 

Artikulli paraprakQEVERIA PRITET TË MARRË NË DORËZIM UZINËN E TELAVE
Artikulli tjetërKU TË LUAJNË FËMIJËT E QYTETIT TË SHKODRËS ?