Ndryshe nga viti i kaluar kur kishte një rënie drastike me rreth 4 mijë nxënës më pak në qarkun Shkodër këtë radhë sa i përket Zyrës Vendore të Arsimit në Shkodër janë vetëm rreth 300 nxënës më pak duke bërë që të ruhet thuajse e njëjta kuotë. Megjithatë numri i nxënësve në shkolla në gjithë Shqipërinë është duke u tkurrur me shpejtësi dhe kjo është më e dukshme në arsimin 9-vjeçar.

Rënia e lindshmërisë dhe emigracioni i lartë janë dy faktorët që po zbrazin shkollat, dhe do të bëhen sfidë për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit. Sipas të dhënave të INSTAT, numri i nxënëseve në arsimin 9-vjeçar në 10 vitet e fundit ka rënë me 30%, ndërsa në raport me vitin e parë të tranzicionit 1991, me 45%. Nxënësit e regjistruar në arsimin 9-vjeçar në vitin 2019 ishin rreth 295 mijë, nga 421 mijë në vitin në 2010 dhe mbi 540 mijë në vitin 1991.

Si rrjedhojë, arsimi 9-vjeçar ka sot rreth 126 mijë nxënës më pak, në krahasim me 10 vite më parë. Rënia ka qenë më e mprehtë pas vitit 2011, pasi përveç emigracionit konstant në nivele të larta, lindshmëria ka pësuar rënie të ndjeshme. Indeksi i fertilitetit ishte 6.8 lindje për grua në vitet 1960, ky raport ra në 2.1 lindje për grua në vitin 2001 dhe në 1.7 në vitin 2011, dhe në 1.36 fëmijë për vitin 2019.

Vendi ynë u rendit u rendit ndër 7 shtetet me normën më të ulët të lindshmërisë në Europë për vitin 2018, duke lënë pas vetëm Greqinë, Qipron, Italinë, Spanjën, Maltën dhe Ukrainën, sipas të dhënave të Eurostat. Rënia drastike e nxënësve në shkolla teorikisht duhet të çliroje fondet, të cilat do të mund të rrisin standardin dhe cilësinë e mësimdhënies për nxënësit e mbetur.

Por rënia e numrit të nxënësve nuk i ka shtuar me të njëjtin ritëm treguesit e cilësisë dhe infrastrukturës, përderisa mësimi është bërë me turne edhe para pandemisë ndërsa infrastruktura shkollore në zonat rurale nuk është aspak dinjitoze. Ministria e Arsimit ka lajmëruar se ka një rënie të numrit të nxënësve në të gjitha nivelet e arsimit edhe për vitin e ri shkollor 2020-2021.

Shqipëria financonte më shumë se 4-5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto së saj para viteve 1990 për sektorin e arsimit, ky nivel ishte i krahasueshëm me financimet që edhe vendet e tjera jepnin në atë kohë. Por përgjatë viteve të tranzicionit, sektori është financuar më pak se 3% të PBB-së, nivel gati 40% më i ulët se financimet që vendet e zhvilluara kanë dhënë në këtë periudhë dhe 20% me pak se ato që japin vendet e rajonit.