Juristet femra duket se kanë dominuar ndjeshëm në kontrollin që po u bëhet prej muajve gjyqtarëve dhe prokurorëve në të gjithë vendin.

Ndonëse deri tani janë dhënë 28 vendime për 28 gjyqtarë dhe prokurorë nga të cilët kanë kaluar 16, ndërsa janë rrëzuar për tu përjashtuar nga sistemi 12 të tjerë, vihet re një avantazh në rikonfirmimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve femra.

Nga një bilanc i bërë i 28 vendimeve të dhëna nga KPK, shihet se janë rikonfirmuar në detyrë 10 gjyqtarë dhe prokurorë femra, ndërsa 6 që kanë kaluar pozitiv janë gjyqtarë dhe prokurorë meshkuj.

Kjo tendencë u duk që në seancat e para ku KPK rikonfirmoi në detyrë anëtaren e Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tusha.

Duke vijuar më pas me konfirmimin e gjyqtareve Alma Brati,Brikena Ukperaj, Marçela Shehu, Manjola Xhaxho,Nertina Kosova dhe prokuroret Arta Marku, Anila Leka, Fatjona Memcaj, Antoneta Sevdari.

Deri tani janë rrëzuar në vetting vetëm dy femra që janë anëtarja e Gjykatës Kushtetuese Altina Xhoxhaj dhe prokurorja Besa Nikëhasani, të cilat e kanë ankimuar vendimin e shkallës së parë në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.

Ndërsa 10 të rrëzuar janë gjyqtarë dhe prokurorë meshkuj. Ndërkohë që nga juristët meshkuj kanë mundur të kalojnë testin e parë të kontrollit vetëm 6 gjyqtarë dhe prokurorë të ndarë të barabartë në numër.

Gjyqtarët Bashkim Dedja, Edmond Islamaj, Ilir Toska dhe prokurorët Vate Staka, Kosta Beluri dhe Dritan Preci.

Ndërkohë që java që vjen është e ngjeshur me seanca dëgjimore dhe shpallje vendimesh për 56 subjektet e para të shortuara me përparësi, ku dominojnë anëtarët e Gjykatës së Lartë e cila ka mbetur tashmë me 6 gjyqtarë