Zyra britanike e Emigracionit ka pranuar të pezullojë dëbimin e një gruaje shqiptare dhe vajzës së saj, pasi tre deputetë të parlamentit e apeluan vendimin në qeveri.

Sipas BBC-së, së cilës i referohet abcnews, shqiptarja ishte një studente drejtësie kur shkoi në Itali, ku thotë se u drogua dhe u shit për prostitucion. Ajo arriti të arratisej për në Angli ku kërkoi dhe azil, por që iu refuzua. Tani shqiptarja, identiteti i të cilës nuk bëhet publik për arsye sigurie, jeton në Norfolk.

Tre deputetët e parlamentit në Norfolk, George Freeman, Richard Bacon dhe Clive Lewis ishin ata që e ngritën çështjen në Zyrën e Emigracionit. Sipas tyre, gruaja frikësohej se mund të vritej për çështje nderi nëse kthehej në atdhe me fëmijën dy-vjeçar.

Pasi u takua me anëtarët e parlamentit, Ministrja për Çështjet e Emigracionit në Britani, Caroline Nokes, pranoi që të pezullonte deportimin. Ata vendosën që shqiptarja të riaplikojë sërish dhe aplikimi i saj do të rishikohet në nivelet më të larta.

Deputeti Lewis tha javën e kaluar për BBC-në se se të gjithë janë të shqetësuar për shqiptaren dhe se është shumë e rëndësishme që të pranohet aplikimi i saj për azil. Ndërkohë deputeti tjetër Richard Bacon u shpreh se ajo mund të vritet në Shqipëri.

“Për momentin ajo po qëndron në shtëpinë e terapistes së saj në Norfolk-un e jugut në mënyrë që të mos dëmtojë veten. Nëse deportohet në Shqipëri, mund të jetë viktimë e një vrasjeje nderi”, tha ai.