Visar Zhiti ka folur prej kohësh për dosjen e tij, burgologjinë, apo poezinë.

Ishte vetëm 27 vjeç kur u dënua për një poezi. Dhe debati i denoncimit të poetëve nga poetët u rikthye pasi Drejtori i Institutit të Krimeve të Komunizmit, Agron Tufa botoi emrat e autorëve të ekspertizës ndaj Zhitit.

Njëri prej tyre poeti dhe ish-redaktori Pandeli Koçi. Visar Zhiti sot bën apel për katarsis dhe tregon ç’do të thotë të dënohesh 10 vjet për një poezi.
“Është shumë e cuditshme dhe pabesueshme.

Madje është bërë e pabesueshme dhe për ne. Ishte një diktaturë e egër. Më e egra në të gjithë pernadorinë komuniste. Diktatura donte të zotëronte me gjithçka. Materialisht.

Njeriun e kishte zhveshur nga prona, ng apasuria, nga identiteti njerëzor dhe poezinë e donte për vete. Madje edhe një nga filozofët më të mëdhenj të shekullit të XX Umberto Eco thotë që diktaturat poezinë e duan për veten e tyre, nuk duan që poeti t’ua kushtojë gjërave lirike. Si psh trëndafilave. Dhe me citon edhe mua për librin tim “Rapsodia e jetës së trëndafilave”.

Në këtë kohë diktatura i sulmonte intelektualët e poezinë, nëpërmjet intelektualëve dhe atyre që e lexonin, që e dinin, që e bënin poezinë. Në këtë drejtim do të thoja që ka qenë shumë e rëndë. Është e nevojshme për Katharsis. Të na bashkojë poezia, jo të na ndajë”, shprehet Visar Zhiti.

Përgjigjen publike të Pandeli Koçit, se atij i është falsifikuar firma, Zhiti e komenton kështu: “Ne jetojmë në një pseudokohë, ku ka edhe pseudonjerëz, ku është falsifikuar shumëçka. Në këtë drejtim do shumë kujdes, do dhe dhimbje për ta parë specialisti.

Së pari, dosja ime më jepet në hetuesi për ta parë, dosja hetimore. Pastaj në vitet e mëpasshme kam mundur ta shoh, tani dhe e kam. Mund t’ju a le kur të doni ta shikoni”.

Aty në Spaç ai e gjeti forcën që të krijojë edhe në kushtet e mungesës së lirisë: “Poezia siç e thashë pak më parë ka aftësinë të bashkojë, dhe kur je në burg, duke menduar për të, ndihesh jashtë saj”.

Nuk mund të ketë jetë pa poezi. Poezia e jetës. Nuk është vetëm ajo që shkruhet, është dhe ajo që jetohet.

Dhe sërish ai i rikthehet poezisë sepse së shpejti një libër i ri me krijime të tij do të jetë mes shqiptarëve në Bukuresht: “Unë do shkoj të promovoj një libër mes shqiptarëve në Rumani. Më ka dalë një libër me poezi të reja atje, falë studiuesit, kritikut dhe përkthyesit Luan Topçiu”.

Të dënohesh për një poezi, sot tingëllon jo vetëm e çuditshme, por edhe çnjerëzore. Por, fenomeni i dënimit të poetëve nga poetët ka qenë e zakonshme në Shqipërinë e asaj kohe.

Por ashtu sikurse Visar Zhiti e tha. Ky nuk ishte një dënim dhe vendosje prangash ndaj tij, por ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve.