Pas lajmit se dy futbollistë të Partizanit kanë rezultuar pozitiv me COVID-19, klubi ka njoftuar se testimi është kryer për të gjithë ekipin.

Klubi thotë se tamponët janë marrë në zbatim të protokolleve të ministrisë së shëndetësisë, për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, në prag të takimit me skuadrën e Tiranës që do të zhvillohet nesër.

“FK Partizani njofton se gjithë ekipi ka kryer testet për COVID-19. Në zbatim të udhëzimeve të protokollit shëndetësor të Ministrisë së Shëndetësisë dhe mbrojtjes Sociale, si dhe Federatës Shqiptare të Futbollit, të gjithë lojtarët dhe stafi ju nënshtruan tamponëve sonte në mbrëmje, mbasi dy prej pjesëtarëve të skuadrës Deian Boldor dhe Besnik Ferati rezultuan pozitiv me COVID-19.

Testimi për të gjithë skuadrën është kryer për efekt të marrjes së masave për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, në prag të takimit ndaj Tiranës në program ditën e premte”, thuhet në njoftimin e klubit të Partizanit.

Ndërkohë do të pritet rezultati për gjithë ekipin dhe më pas për të parë nëse do të zhvillohet ose jo ndeshja.

Epidemiologia Rovena Daja tha se pjesëtarët e ekipit të vetëizolohen, ndërsa këshilloi që ndeshja mos të zhvillohet.