Ka nisur pas orës 16:00 seanca gjyqësore në Gjykatën për Krime të Rënda ku pritet që Gjykata të dalë me një vendim për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri dhe ish-drejtorin e Policise së Vlorës Jaeld Çela.

Prokuroria kërkoi javën e shkuar dënimin prej 12 vitesh burgim, duke e akuzuar ish ministrin për të paktën tre vepra të rënda penale: Trafik i narkotikëve kryer në bashkëpunim në formën e grupit të struktuar kriminal; Pjesmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe Kryerja e veprës në grup të strukturuar kriminal.

Ish ministri i Brendshëm u vu nën hetim nëntorin e vitit 2017, nën dyshimet se kishte lidhje me grupin e vëllezërve Habilaj, kushërinj të tij, të cilët ishin pjesë e një organizate italo-shqiptare e cila trafikonte marijuanë nga Shqipëria drejt Italisë.

Fati i Saimir Tahirit, ish-ministrit të Brendshëm do të vendoset sot nga një trupë prej tre gjyqtarësh: Flora Hajredinaj, Ardit Mustafaj dhe Irena Gjoka.
Ardit Mustafaj, është kryesuesi i trupës së gjyqtarëve. Ai është pjesë dhe trupës që po shqyrton çështjen ndaj Klement Balilit.

Flora Hajredinaj gjithashtu ka në shqyrtim dhe dosjen ndaj Klement Balilit. Ndërkohë që kjo gjyqtare ka shqyrtuar dhe çështjen e ngritur ndaj Dritan Zaganit, për të cilin ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg në mungesë”.

Irena Gjoka është e njohur në karrierën e saj për dënimin e përjetshëm të dhëne për Dritan Dajtin, autori i vrasjes së 4 policëve në vitin 2009.

Vendimi për Saimir Tahirin, ish-ministër i Brendshëm, ishte parashikuar të jepej në orën 16:00, por ndërkohë që kanë kaluar më shumë se tre orë trupi gjykues nuk ka dalë ende me një vendim përfundimtar.

Ish-ministri Saimir Tahiri, avokatët, prokurorët, e mbështetës të tij janë ashtë ambienteve të sallës së gjyqit, brenda Gjykatës për Krime të Rënda, në pritje të vendimit për ish-ministrin e Punëve të Brendshme dhe ish-drejtorit të Policisë së Vlorës Jaeld Çela. Në ambientet e Gjykatës ka shumë mbështetës të Tahirit, ndërsa është e pranishme edhe një përfaqësuese e ambasadës amerikane në Tiranë.