Edhe pse jetojnë në një nga zonat më të frekuentuara, rreth 500 banorë të lagjes Perash në qytetin e Shkodrës vuajnë dëmtimin e vazhdueshëm të infrastrukturës rrugore.

Bëhet fjalë për rrugën “Qazim Rroji” pranë vendit të quajtur Ura Dervishbeg, ku segmenti prej 300 metrash është bërë thuajse i pakalueshëm. Për banorët e kësaj zone shpeshherë është e pabesueshme një neglizhncë e tillë duke qenë se ndodhen vetëm pak metër larg godinës së Bashkisë Shkodër. Amortizimi i këtij segmenti rrugor ka qenë i vazhdueshëm gjatë dy viteve të fundit, por askush nuk është kujdesur për të investuar qoftë edhe një fond modest. Një tjetër problematikë e dukshme në këtë zonë janë edhe parkimet e automjeteve, të cilat vështirësojnë qarkullimin. Në raste emergjencash, ndërhyrja e zjarrfikësve është tejet e vështirë si pasojë e kaosit të krijuar.