Në qershor, Policia e Shtetit dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare do të nisin një aksion në terren për identifikimin e të gjitha automjeteve të pasiguruara.

Lajmi u bë i ditur nga Ervin Koçi, kryetar i AMF-së, gjatë raportimit në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë.

Sipas Kocit, aktualisht rezultojnë rreth 16.000 mijë automjete të paidentifikuara. “Numri i mjeteve të pasiguruara vazhdon të jetë i njëjtë dhe numri i mjeteve të paidentifikuara që shkaktojnë dëme vazhdon të jetë i madh.

Edhe ulja e mjeteve të pasiguruara sigurisht që është në fokus të punës tonë të përditshme.

Për këtë kemi marrë masa që të vendosim në funksion ato marrëveshje që nuk kanë qenë zbatuar më përpara mes Policisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Transportit rrugor.

Gjatë 2017 kemi pasur komunikime të vazhdueshme me Ministrinë e Transporteve dhe Policinë e Shtetit për të marrë të dhënat dhe nga kompania që kolaudon makinat.

Që nga muaji shtator 2017, cdo dy javë i nisim informacion Policisë së Shtetit, që lidhen me mjetet e transportit që nuk kanë sigurimin e detyrueshëm të përgjegjësisë ndaj palëve të treta.

Kjo ka dhënë rezultatet e veta, pasi po të shikojmë në vitin 2017, nëqoftëse në Republikën e Shqipërisë numri i mjeteve të regjistruara është 535 mijë, numri i mjeteve që kanë paguar taksën është 447 mijë dhe numri i kontratave TPL rreth 431 mijë.

Kjo tregon që nga mjetet e pasiguruara, 19.5% dalin të pasiguruara, ndërsa nga mjetet që kanë paguar taksën e qarkullimit është 3.64%”.

Artikulli paraprakPËRGJIMI MISTERIOZ/ 3 ZYRTARËT E PD, LLOGARI SOT TE KRIMET E RËNDA
Artikulli tjetërSTATISTIKAT/ ÇDO 5 DITË NDODH NJË VRASJE NË SHQIPËRI, MË PAK ARMË TË REGJISTRUARA NË TË GJITHË RAJONIN