Ish-kryeministri Sali Berisha ka publikuar një video në të cikën argumentohet pse do të dalin në protestë nesër para kryeministrisë në orën 11:00.

Në video flitet në emër të qytetarëve, ku thuhet se qeveria i ka tradhtuar, populli është varfëruar përmes vjedhjes nga qeveria, dhe se shpresa për shpëtim sipas tyre mbetet vetëm protesta.

“Qeveria na ka tradhtuar, por ne nuk i tradhtojmë fëmijët tanë, ndaj protestojmë. Qeveria na ka dhunuar, por ne jemi ende të fortë dhe me kurajë, ndaj protestojmë.

Qeveria na ka vjedhur e varfëruar, por ne kemi ende shpresa dhe ëndrra, ndaj protestojmë. Qeveria na ka shpërfillur e harruar, por ne e kemi fatin në dorën tonë, ndaj jemi ngritur të gjithë në këmbë.

Ne jemi ende shqiptarë krenarë, ne jemi ende qytetarë europianë, ne jemi ende njerëz të lirë, ndaj nuk trembemi, nuk nënshtrohemi, por ngrihemi dhe fitojmë.” , janë mesazhet që dallohen në video.

Këto mesazhe janë vendosur mbi pamjet nga protestat e tjera që opozita e bashkuar ka mbajtur kundër qeverisë Rama.

Por ajo që bie në sy është fakti që në video janë evidentuar vetëm momentet paqësore të protestave, dhe në asnjë moment nuk dalin plane të skenave të dhunës që kanë shpërthyer si para kryeministrisë më 16 shkurt ashtu edhe në tensionet dhe përplasjet në tubimet e mbajtura para Parlamentit në të njëjtin moment që mbaheshin dhe seanca plenare.

Nuk dihet nëse ky fakt nënkupton që protesta e pestë e opozitës nga muaji shkurt, do të jetë paqësore, apo nëse siç ka ndodhur edhe më parë, nëse do të ketë dhunë, PD-ja do të shprehet se nuk mban përgjegjësi për veprimet e qytetarëve

Edhe tani për protestën e 16 marsit, nuk ka një axhendë nga ana e opozitës se si do të mbahet protesta. E vetmja gjë që dihet është nisja: në orën 11:00, dhe fakti që demokratët shprehen se do të ndjekin axhendën e qytetarëve. Ama, sa herë ka shpërthyer dhuna, pas protestës opozita e ka lënë në ‘baltë’ axhendën qytetare, duke thënë se dhuna nuk është skenar i tyre.

Të shtunën e protestës para kryeministrisë, kreu i qeverisë Edi Rama nuk do të jetë në Tiranë. DO të ndodhet në qarkun e Beratit në kuadër të turit ‘Bashkia që duam’.

Opozita kërkon largimin e Ramës dhe krijimin e një qeverie tranzitore për të shkuar në zgjedhje të parakohshme.