Policia e shtetit publikon masat e sigurisë që do të ndërmerren nesër për të siguruar mbarëvajtjen e ndeshjes ndërkombëtare të futbollit Shqipëri- Turqi. Ndeshja, e vlefshme për eliminatore të “EURO 2020”, do të luhet nesër në ora 20.45 në qytetin Shkodër në stadiumin “Loro Boriçi”.

Në kuadër të planit të masave të marra Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër, do të marrë një sërë masash teknike dhe organizative për, sigurimin e rendit dhe sigurisë publike, para, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes ndërkombëtare të futbollit, duke synuar një mbarëvajtje të aktivitetit sportiv.

Do të ketë masa ndaluese dhe kufizuese mbi qarkullimin dhe parkimin e automjeteve në afërsi të stadiumit dhe në akset rrugore që lidhen me të.

Ja masat

1. Për lëvizjen e automjeteve dhe parkimin e tyre do të përdoret Unaza e Qytetit Shkodër, si nga krahu lindor ashtu edhe nga krahu perëndimor.

2. Për parkim të automjeteve në qytetin Shkodër do të përdoren këto vende:

▪ Sheshi “Mehmet Shpendi” tek ish Ndërmarrja e Fermentimit.

▪ Gjatësia e rrugës së Shkollës së Mesme Industriale “Arben Broci”.

▪ Sheshi tek stacioni i trenit të udhëtarëve.

▪ Sheshi dhe rruga tek “Fusha e Druve” në unazën lindore.

3. Në rrugën “Bujar Bishanaku”, (ose rruga e gjerë e Kirasit), duke filluar nga ora 10:00 do të ketë ndalim të qarkullimit rrugor dhe ndalim të parkimit të automjeteve në të dy kahet e rrugës, deri në orën 24.00.

4. Marrja e këtyre masave bëhet për arsye se kjo rrugë do të jetë e vetmja rrugë kryesore e hyrje-daljes së tifozave vendas dhe të huaj.

5. Në aksin bulevardi “Zogu i Parë” (ose sheshi Parrucë deri tek “Ish 5-Heronjtë”), duke filluar nga ora 10:00 do të ketë kufizim të qarkullimit dhe ndalim parkimi të automjeteve në të dy kahet e rrugës, deri në orën 24.00.

6. Do të ndalohet parkimi i automjeteve dhe lëvizja e tyre nga degëzimet e rrugës që të çojnë në rrugën “B. Bishanaku” dhe anasjelltas, nga ora 10.00 deri në ora 24.00.

7. Do të ndalohet parkimi dhe lëvizja e automjeteve në rrugën “Zyhdi Repishti” (rruga e ish poligonit të qitjes) nga ora 10.00 deri në orën 24.00.

8. Do të ndalohet parkimi dhe lëvizja e automjeteve në rrugën e tregut industrial dhe fruta-perime në Zdrale nga ora 10.00 deri në orën 24.00.

9. Do të ketë kufizim lëvizjeje të automjeteve në orët e pasdites deri në përfundim të ndeshjes në segmentet rrugore:

o “Xhabije – Parrucë”

o “Sheshi 2 Prilli – Parrucë”

o “Kryqëzimi i ish degës – Ish 5-Heronjtë”

o “Kryqëzimi i Rusit – Ish 5-Heronjtë”

10. Aktiviteti sportiv është parashikuar të fillojë në orën 20.45 dhe hyrja e tifozerisë, me qëllim shmangien e konfuzionit, do të nisë në orën 17.00.

11. Kërkojmë mirëkuptimin e sportdashësve që do të marrin pjesë në këtë aktivitet në respektimin dhe zbatimin e këtyre masave si dhe paisjen me biletë dhe dokument identifikimi, duke shmangur njëkohësisht mbajtjen me vete dhe futjen në ambientet e stadiumit të, sendeve të forta, borive, shisheve të çfarëdolloji, fishekzjarreve, monedhave apo sendeve metalike, pasi në hyrje do të kontrollohen fizikisht të gjithë.

12. Njoftojmë administratorët e bizneseve që zhvillojnë aktivitet tregëtar përreth dhe në afërsi të stadiumit “Loro Boriçi” të tregohen mirëkuptues duke i mbyllur aktivitetet në orën 14.00.