Blaise Matuidi është futbollisti i dytë që rezulton pozitiv me koronavirus te skuadra e Juventusit. Mesfushorit francez ditën e martë iu kryen testet për COVID-19 dhe pas disa orësh pritje u konfirmua se ashtu si shoku i skuadrës Daniele Rugani ishte i infektuar nga kjo pandemi që pothuajse ka prekur të gjithë botën, pa kursyer këtu as sportin.

Sipas raportimeve lojtari është në gjendje shumë të mirë dhe nuk ka shfaqur simptoma, ndërsa për momentin po qëndron i izoluar në shtëpi nën kujdesin e mjekëve. Menjëherë pas publikimit të këtij lajmi shoku i skuadrës Miralem Pjanic ka publikuar një video ku feston i përqafuar me Matuidin titullin kampion, ndërsa shkruan: “Eja vëlla, gjithçka do të shkojë mirë.” Sakaq një mesazh mbështetës ka shkruar edhe ish-futbollisti i Juventusit Mehdio Benatia i cili në rrjetet sociale citon ‘një ushtar si Matuidi nuk mund të mposhtet nga virusi.’

Ndërkohë në orët e fundit numri i lojtarëve të prekur është rritur në Seria A pasi me koronavirus ka rezultuar edhe futbollisti i Verona-s Mattia Zaccagni.

Në La Liga pas Valencia-s COVID-19 ka prekur në masë edhe klubin e Espanyol. Katalanasit nëpërmjet faqes zyrtare kanë njoftuar se gjashtë pjestarë të klubit kanë rezultuar pozitiv në testet e kryera. Po sipas Espanyl futbollistët kanë simptoma shumë të lehta dhe po ndjekin rekomandimet e mjekëve.

Sakaq nga Amerika raportohet se pozitiv me koronavirus ka rezultuar edhe ylli i NBA Kevin Durant, që luan me Brooklyn Nets. Në këtë skuadër së bashku me Durant pozitiv kanë rezultuar edhe tre baskebollistë të tjerë.