SUKSESI I KOMBËTARES SHQIPTARE E DHUNA NË BEOGRAD.Viti 2014 mund të cilësohet një vit pozitiv për futbollin shqiptar, pasi falë paraqitjeve të mira në eliminatoret e kampionatit Europian Francë 2016 kombëtarja

kuqezi ka arritur që të jetë mes ekipeve pretendente për një biletë. Shqipëria në 2 ndeshjet e para ka arritur që të marrë 4 pikë, teksa ndeshja me Serbinë është ende në proces gjyqësor, pasi Arbitrazhi Ndërkombëtar Sportiv në Lozanë ka filluar mbledhjen e provave për vendimin përfundimtar.

Dhuna në Beograd 

Sfida e 14 Tetorit dhe droni do të mbeten gjatë në memorien e cdo shqiptari. Kombëtarja shqiptare, delegacioni, por edhe gazetarët që e shoqëronin ranë pre e dhunës fizike dhe psikologjike në një stadium që ziente me thirrje raciste “Vritini shqiptarët’ “Digjini shqiptarët”. Në minutën e 41 si pasojë e hedhjes së fishekzjarrëve në fushë, gjyqtari Aktinson vendosi ndërprerjen e sfidës, teksa vetëm pak sekonda më pas mbi qellin e Beogradit dhe përpara syve të krerëve më të lartë të shtetit serb, valëvitej mbi një dron të telekomanduar një flamur i Shqipërisë Etnike me foton e dy figurave të shquara të historisë së kombit, Ismail Qemali dhe Isa Boletini. Disiplina vendosi humbjen e ndeshjes në tavolinë dhe 100 mijë Euro gjobë, ndërsa Serbisë i hiqeshin pikët, 100 mijë Euro gjobë dhe 2 ndeshje pa tifozë. Vendimi mëse i qartë politik për të ruajtur balancat, por UEFA regjistroi një precedent të paparë më parë, pasi për herë të parë një ndeshje dilte pa pikë. Apeli konfirmoi Disiplinën, ndërsa tashmë gjithcka është në dorë të KAS-it.

SUPERLIGA, SKENDËRBEU KAMPION, VITI 2015 I HAPUR

E ndërsa për edicionin e kaluar nuk vlen të theksohet asgjë, pasi Skënderbeu fitoi sërish titullin, edicioni i ri premton më shumë luftë sportive, grindë, spektakël dhe emocione duke rritur cilësinë, pasi në garë nuk janë më dy ekipe në garë për trofeun. Tirana, Partizani, Skënderbeu dhe Kukësi po rivalizojnë denjësisht duke mbyllur dy fazat e para me pritshmëritë e realizuara.

RIKONSTRUKSIONI I STADIUMEVE DHE DOPINGU NË PESHËNGRITJE

Rikonstruksioni në kohë rekord i stadiumit të Elbasanit duke e kthyer në një impiant modern me një investim 5.5 milionë Euro, premtimi për rikonstruksionin e stadiumit të Shkodrës dhe së fundmi të atij të Vlorës, në një kompleks modern në Pyllin e Sodës ka kthyer vëmendjen ndaj sportit më popullor në vend. Peshëngritja E ndërsa futbolli ishte ana e medaljes që shkëlqeu këtë vit, e kundërta ndodhi me peshëngritjen. Sporti që i ka sjellë më shumë medalje Shqipërisë bëri një ‘bllof’ të madh. Dopingu ‘vrau’ tre kampionët kuqezinj, dy bote Godelli dhe Begaj dhe atë të Europës për të rinj Pulakun. 13 raste me doping në 9 vite bënë që Shqipëria të marrë një njollë të zezë në arenën ndërkombëtare.

NË BOTË KOMANDON GJERMANIA, NË EUROPË REAL MADRID 

Padyshim që Kupa e Botës në Brazil ishte eventi më i shumëpritur në arenën ndërkombëtare. Nga 32 përfaqësueset dhe 64 ndeshjet e zhvilluara Gjermania rrëmbeu trofeun. Kupa e Botës do të ngelet në memorie për dy rekorde, humbja e thellë e Brazilit në gjysmëfinale dhe fitorja e një ekipi të parë nga Europa në Amerikën Latine. Në nivel klubesh 2014 riktheu Realin e Madridit në çatinë e Europës. Fitorja në finale ndaj Atletikos së Madridit pas një edicioni mjaft të mirë me një Ronaldo në super formë premton nisjen e një cikli të ri në Spanjë dhe Europë. Në Spanjë madrilenët fituan Kupën e Mbretit, ndërsa në Gusht sigluan një tjetër trofe, atë të Super Kupës së Europës.

Ndërsa 2014 mbyllet në mënyrën më të mirë, qershia mbi tortë ishte Botërori I Klubeve ndaj San Lorenzos në Marok. Në javën e dytë të Janarit do të vendoset edhe për lojtarin më të mirë të vitit. Në garë janë Ronaldo, Nojer dhe Mesi. Kuotimet favorizojnë hapur Ronaldon, i cili fitoi 4 trofe me Realin, por jo vetëm kaq, pasi ka pasur një ecuri mjaft të mirë edhe në aspektin personal. Portugezi e mbylli edicionin në Champions me 17 gola, si askush më parë, ndërsa në kampionati këtë edicion është kthyer në një makineri golash, 25 të tillë pa përfunduar faza e parë. Me këtë ritëm llogaritet që të kapë shifrën e 60 golave në kampionat.Por, pika e vetme e dobët është Botërori, ku nuk spikati duke lënë gjurmë vetëm me një gol. Disavantazhin e sulmuesit e shfrytëzon Nojer, që fitoi Kupën e Botës dhe kampionatin gjerman duke qenë përherë të parë në garë për trofeun nga koha e rusit Lev Jashin, pasi në dekadat e fundit asnjë porier nuk ka qenë në garë. Në fund Mesi, argjentinasi me kombëtaren humbi finalen, ndërsa me Barcelonë nuk fitoi asgjë. Nuk mbeten pas as kafshimi i Suarez për Kielinin, korrpsioni në FIFA apo edhe dominim i Mercedez në Formula 1.

 

 

 

 

Artikulli paraprakPREMIER LEAGUE I VEMTI KAMPIONAT AKTIV ME 1 JANAR
Artikulli tjetërTUNA I KUNDERPERGJIGJET RITES