Një tjetër aksident ka ndodhur në qytetin e Shkodrës si shkak i borës dhe pranisë së ngricave. Dy mjete janë përplasur me njëra-tjetrën. Ngjarja ka ndodhur në rrugën e lagjes Rus që të çon drejt policisë vendore të Shkodrës.

Mjeti tip benz me targë AA 892 J është përplasur me mjetin tip renault me targë AA 965 ED. Si shkak i këtij aksidenti raportohet se personat që ndodheshin në këto dy makina nuk janë në rrezik për jetën por kanë pësuar lëndime të lehta.

Njëri mjet po vinte drejt lagjes Rus dhe makina tjetër po shkonte në kahun e kundërt kur papritur janë përplasur duke shkaktuar këtë aksident. Sipas burimeve shkak është bërë rruga e ngushtuar nga prania e borës dhe akullit.

Mjetet janë munduar që të shmangin borën në aksin rrugor duke u aksidentuar. Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur forcat e policisë duke bërë hetimet e plota për zbardhjen e këtij aksidenti të ndodhur në orët e paradites së sotme.

Ky nuk është aksidenti i vetëm që ka ndodhur sepse edhe më përpara në Shkodër që nga dita kur kanë nisur reshjet e borës dhe deri më tani ka patur aksidente të tjera të shkaktuara.

Moskujdesi i drejtuesve të mjeteve në njërën anë, mospastrimi i të gjitha rrugëve në Shkodër në anën tjetër kanë bërë që të ketë një numër të shtuar aksidentesh të lehta.

Deri më tani nuk ka asnjë aksident të rëndë apo shtetas të dëmtuar rëndë nga përplasjet e mjeteve por gjithsesi aksidentet si shkak i borës dhe pranisë së ngricave janë një shqetësim.

Pikërisht për të shmangur këto aksidente një pjesë e konsiderueshme e dejtuesve të mjeteve gjatë ditëve të reshjeve të borës por edhe në oraret e pranisë së ngricave kanë i kanë lëvizur mjetet e tyre duke i lënë të parkuara.

Vazhdimisht institucione të ndryshme si Autoriteti Rrugor Shqiptar, policia por edhe Shtabi i Emergjencave kanë bërë thirrje që drejtuesit e mjeteve të bëjnë kujdes, të përdorin zinxhirët në ato akse ku është e nevojshme dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme.