Ky është autobuzi i linjës Shkodër-Shirokë-Zogaj. Personat që ndodheshin brenda tij një ditë më parë janë me fat sepse të gjithë kanë shpëtuar pa u lënduar. Ky autobus është rrëzuar në anë të rrugë në afërsi të pikës turistike të Zogajve.

Kjo ngjarje ka ardhur si shkak i borës dhe ngricave në këtë aks rrugor. Pasagjerët dhe vetë shoferi kanë rrezikuar jo pak si shkak i rrëshqitjes së autobuzit.

Burimet bëjnë me dije se në momentin kur ndodhi kjo ngjarje brenda autobuzit ndodheshin 20 persona të cilët duhet thënë se kanë shpëtuar mrekullisht.

Që nga momenti i rrëshqitjes autobuzi ka mbetur i bllokuar për disa orë me radhë pa lëvizur nga vendi. Janë vetë banorët ata të cilët kanë dërguar këto video dhe fotografi për të treguar situatën e vështirë dhe rrezikshmërinë që përjetuan.

Pavarësisht se është një kohë e konsiderueshme që nga momenti kur ka ndodhur kjo ngjarje askush nuk ka ndërhyrë me shpejtësi për ta nxjerrë autobuzin nga kjo situatë problematike.

Tashmë si shkak i kësaj ngjarje është bllokuar lëvizja në aksin Shkodër-Shirokë-Zogaj për të gjithë banorët e atyre zonave.

Përveç autobuzit të rrëzuar banorët raportojnë edhe për bllokim të rrugës në Zogaj si shkak i reshjeve të borës dhe ngricave. Lëvizja është thuajse e pamundur nga mjetet e vogla duke bërë që momentalisht ajo pjesë të jetë e pakalueshme.

Banorët raportojnë se në Zogaj ka probleme edhe me ujin e pishëm, energjinë elektrike herë pas here si dhe rrjetin telefonik. Autobuzi në Zogaj nuk është i vetmi sepse një tjetër kamion është rrëzuar duke pësuar aksident por drejtuesi nuk ka pësuar lëndime.

Edhe një ditë më parë në zona të ndryshme ka patur aksidente por deri më tani asnjë në rrezik për jetën. Drejtuesit e mjeteve duhet të bëjnë kujdes ndërsa gjithnjë bëhet thirrje për të shmangur lëvizjet e panevojshme qoftë në qytete e aq më tepër zonat malore.

PUBLICITET