Nik Xhelilaj nuk di të ndalet. Shqiptari është shndërruar në një nga njerëzit më të përfolur në Turqi. Aktori është bërë pjesë e kastit të serialit më të ri aty, të titulluar Nefes Nefese që nisi transmetimin dy ditë më parë në Star Tv.

 

Mesa duket rolet e tij në serialin Payitaht Abdulhamit dhe në prodhimin tjetër Her Sevda Bir Veda kanë tërhequr vëmendjen e producentëve turq dhe Xhelilaj vjen tanimë me rolin e ri në serialin e momentit në Turqi. Dhe këtë radhë si protagonist.

 

Nik Xhelilaj në këtë prodhim të kinematografisë turke vjen si person i mafies në Siri. Boran martohet me Ruya, personazhin kryesor të cilën e ka njohur përmes internetit dhe ajo largohet nga Berlini për në kufirin turko-sirian.

 

Ruya ka si qëllim të gjejë nënën që e ka humbur prej vitesh dhe nuk ka rrugë tjetër veç të shkojë në një fushë lufte. Dhe është pikërisht Nik Xhelilaj që e trafikon për në Siri.

 

I riu nga Tirana ka bërë për vete shikuesit në mediat e showbizzit që janë bërë kuriozë për të dhe jetën e tij. Më e rëndësishmja, të gjithë flasin fjalë të mira për të.